Kryeministri Edi Rama ishte i ftuar në seancën solemne me rastin e 9-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Në një konferencë për mediat nga parlamenti i Kosovës, Kryeministri uroi të gjithë qytetarët kosovarë për këtë ditë të shënuar, e cila siç tha ai ka një peshë të jashtëzakonshme, pasi janë ende të freskëta ditët e vështira të një të kaluare jo të largët. Rama u ndal më pas te lideri i AAK-së Ramush Haradinaj, për të cilin uroi kthim sa më të shpejtë.

“Uroj edhe sot kthimin sa më parë në shtëpi të Ramush Haradinajt. Pa praninë e tij, kjo ditë ka një mungesë dhe nga ana tjetër, mungesa e tij është edhe një ftesë në këtë ditë për reflektim për të gjithë lidhur me sa shumë akoma është për t’u bërë në funksion të raportit jo tonit, jo të Kosovës, por të gjithë të tjerëve me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Kryeministri Rama nënvizoi se dita e Pavarësisë duhet të konsiderohet si një ditë e bekuar jo vetëm për shqiptarët, por edhe për serbët e të tjerët, pasi dita ditës Kosova provon se është një shembull rrezatues i bashkëjetesës harmonike mes të ndryshmëve dhe u provon të tjerëve se kjo është e mundur.

Tv Klan