Kanali ujitës i Grishajt në Koplik, që përdoret për ujitjen e 3300 ha tokë bujqësore të zonës së Mbishkodrës, do të vihet në fuksionim pas 26 vjetësh. Investimi është i qeverisë në bazë të programit që ajo ka për vaditjen dhe kullimin, për t’iu ardhur në ndihmë fermerëve.

Kryeministri, i cili ka inspektuar punimet për këtë projekt, duke premtuar se brenda këtij viti do të zgjidhet përfundimisht çështja ujitjes dhe kanalizimeve në të gjithë vendin.

“Projekti ynë këtë vit është projekti më i madh që është bërë ndonjëherë për ujin, qoftë për vaditjen, qoftë për kullimin. I ndarë në dy pjesë, një pjesë e ka qeveria nëpërmjet bordeve të ristrukturuara të kullimit. Tani kemi vetëm 4 borde të ndarë në 4 rajone të Shqipërisë dhe pjesën tjetër me Bashkitë. Po bëjmë gati edhe një flotë të re komplet për ujitjen dhe kullimin. Flasim për mjete të motorizuara. Do bëjmë faktikisht të mundur që këtë vit të kemi një zgjidhje thuajse përfundimtare të këtij problemi, sidomos në zonat ku ka më shumë zhvillim intensiv bujqësia”,

deklaroi Kryeministri Rama.

Kryeministri ishte dhe në Gruemirë të Malësisë së Madhe, ku inspektoi investimin tjetër të qeverisë, ujësjellësi i ri që siguron shpërndarjen me ujë të pijshëm për 50 mijë banorë.

Elja Zotka/Tv Klan