Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se do të bëhet kallëzim për dekonspirimin e aksionit të policisë për arrestimin e 3 ish-zyrtarëve të lartë të policisë.

Gjatë intervistës në emisionin “360 gradë” në Ora News, Kryeministri deklaroi se kallëzimi për dekonspirim të aksionit do të bëhet nesër nga ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.

“Ministri i Brendshëm nesër do të materializojë një kallëzim penal për të kërkuar një hetim të plotë për dekonspirimin e sekretit hetimor në rastin konkret, duke përfshirë të gjithë ata që kanë pasur dijeni përfshirë edhe vetveten dhe duke vënë në dispozicion të organeve të hetimit të gjithë gatishmërinë e palës që përfaqëson pushtetin ekzekutiv dhe policinë, duke kërkuar të vihen në gatishmëri për hetimin edhe të tjerët”

, u shpreh kryeministri.

Prej ditës së djeshme janë shpallur në kërkim me urdhër të Prokurorisë ish-drejtori i Policisë Vlorë Jaeld Çela, ish-shefi i krimit të organizuar në Vlorë Gjergj Kohila dhe ish-shefi i kufirit në Dhërmi Sokol Bode. Megjithëse SHÇBA u vu në lëvizje që mbrëmë, ende nuk është arrestuar asnjëri prej tyre pasi nuk po gjenden. 

/tvklan.al