Nisur nga akuzat e bëra në media dhe të artikuluara edhe nga opozita, për përvetësim të një prone në bregdetin e Dhërmiut, Kryeministri Edi Rama i ka kërkuar deputetit të Vlorës, Alket Hysenaj, që të jap sqarime për pozicionin e tij lidhur me këtë çështje.

Si Rama, ashtu dhe kryetari i grupit Taulant Balla kanë kërkuar që Hysenaj të zbardhë pozicionin e tij, si përpara kolegëve të maxhorancës, ashtu dhe në media. Por i pyetur nga gazetarët pas mbledhjes së grupit, Hysenaj refuzoi të komentojë akuzat, që i cilësoi si thashetheme mediatike.

Ndërsa kreu i opozitës ka kërkuar hetim për Hysenaj, pas të cilit sipas Bashës fshihet Kryeministri Rama. Sipas opozitës, deputeti Alket Hysenaj i ka grabitur 11 mijë metra në plazhin e Dhërmiut familjes Bua, duke blerë për 230 milionë lekë pronën e tjetërsuar me dokumente të falsifikuar.

Nisur edhe nga denoncimet e familjarëve, demokratët thonë se Hysenaj ishte në dijeni se prona ishte në proces gjyqësor, por kjo nuk e ka penguar ta shesë tek një ndërtues i njohur.

Tv Klan