Pas takimit që zhvilloi me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, Kryeministri Edi Rama tha se i kishte thënë zyrtares së lartë të BE se pas 25 Qershorit duhet të jetë e përgatitur ajo dhe KE që qeveria dhe opozita e dalë nga zgjedhjet do kërkojë me një zë hapjen e negociatave me BE.

Kreu i qeverisë tha se deri më tani pengesë për uljen në tryezën e negociatave kishte qenë Vetting –u dhe se shpreson që të mos ndeshë më probleme të papritura, me qëllim hapjen e negociatave.

Ne jemi të destinuar që të bëjmë të gjitha përpjekjet tona për t’u ulur sa më parë në tryezën e negociatave. Pengesë për këtë ka qenë Vetting -u, fillimi i zbatimit të tij, që shpresoj mos të ndeshë me probleme të papritura, do jetë për ne një arsye shumë e fortë që sëbashku qeveria dhe opozita, apo shumica dhe pakica e dalë nga zgjedhjet të kërkojnë hapjen e negociatave. Do ta bëjmë këtë me forcë, në kuptimin e një zëri të unifikuar dhe pastaj nuk i kemi të gjitha në dorë, se Europa në këto momente është ajo që është dhe nuk është më e mira që do donim të ishte”.

Federica Mogherini ftoi të mërkurën në një darkë pune në Bruksel gjashtë kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Më parë, zyrtarja e BE pati një takim me secilin prej tyre./tvklan.al