Saimir Tahiri nuk është i vetmi ministër që do të largohet nga kabineti qeveritar. Ndryshimet ne qeveri do të prekin edhe tre ministra të tjerë, Blendi Klosin, Ilir Beqajn dhe Bledi Çuçin. Mësohet se këtë vendim kryeministri Edi Rama ua beri të ditur koordinatorëve të Partisë Socialiste në një mbledhje që zhvilloi me ta gjatë paradites.

Shkarkimet në qeveri vijnë vetëm tre muaj përpara zgjedhjeve parlamentare. Ministrat që do të lënë detyrën janë njëherazi koordinatorë të Partisë Socialiste në disa qarqe dhe angazhimi i tyre për fushatën elektorale të 18 qershorit me shihet dhe si arsyeja kryesore e lëvizjeve të bëra nga kryeministri.

Vete kreu i qeverisë tha se arsyet do t’i bëjë publike në komunikimin javor në orën 17.00 të pasdites, duke konfirmuar kështu paraprakisht ndryshimet e përfolura.

Saimir Tahiri, i cili mban postin e Ministrit të Brendshëm që prej 15 shtatorit të vitit 2013 drejton njëherazi edhe qarkun më të madh e të rëndësishëm, atë të Tiranës.

Blendi Klosi e mori detyrën e Ministrit të Mirëqenies Sociale pas fitores së Erion Vleiajt në krye të Bashkisë së Tiranës. Ai është i deleguar i Partisë Socialiste në qarkun e Beratit.

Bledi Çuçi, i cili prej më shumë se tre vitesh mban detyrën e Ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, është i deleguar në qarkun e Gjirokastrës së bashku me Ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro./ TV KLAN