Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, qëndroi mbrëmë deri vonë në Kryeministri.

Darka me kreun e qeverisë në Kryeministri, pak metra larg çadrës ku opozita ka ngritur prej të shtunës, zgjati deri në orën 1:30 pas mesnate, ku Meta dhe Rama u panë të largohen njëri pas tjetrit nga selia e qeverisë.

Vendi dukej i zgjedhur jo pa qëllim, teksa nga jashtë mund të jenë dëgjuar edhe thirrjet e protestuesve për largimin e tyre nga pushteti dhe krijimin e një qeverie teknike.

Por veç kësaj, deri tani, asnjëri prej tyre nuk e ka komentuar takimin.

Ilir Meta shihet nga opozita si njeriu që mund të ndikojë në realizimin e kërkesës së saj për qeveri teknike, pa e përshkallëzuar protestën.

Thirrjet ndaj tij nga çadra nuk kanë munguar. Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, aleat i Partisë Demokratike, e zyrtarizoi kërkesën me një letër publike, pak orë pasi u pa të drekojë me kreun e LSI –së. Ai i bëri thirrje ta mbështesë opozitën për formimin e qeverisë teknike.

Vetë Meta i ka dhënë të drejtë opozitës në protestën që po zhvillon para Kryeministrisë, por ka refuzuar atë që e ka quajtur si ultimatum.

Ndërsa Kryeministri Rama është shfaqur i prerë: qeveria e tij do të vazhdojë në rrugën e reformave, pavarësisht protestës se opozitës, që sipas tij, ka për qëllim vetëm bllokimin e Vettingut.

Këto qëndrime duket se kanë dominuar edhe bisedën në darkën e mbrëmshme, që ende nuk dihet se çfarë do të prodhojë.

Tv Klan