reforma-zgjedhore-tryeze

Kur parlamenti pritet të miratojë përbërjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë ia ka dale të ulë në të njëjtën tryezë dialogu, krerët e 3 partive më të mëdha në vend.

Shtrëgimi i duarve mungoi mes Kryeministrit Rama dhe Kryeopozitarit Basha, ndërsa Meta nuk e shmangu takimin me kundërshtarin politik.

Në fjalët e tyre nuk munguan akuzat e ndërsjellta, por dhe propozime konkrete për Reformën Zgjedhore.

Kryeministri u kujdes që të nënvizojë meritën e veçantë që ka aleati i tij Meta, për nisjen e debatit për këtë reformë, ndërsa tha se dy zgjedhjet e fundit kanë treguar përmirësime në drejtim të standarteve të arritura.

Rama shikon si të domosdoshme të ketë dakordësi për këtë reformë, edhe pse në fund shton se konsensusi nuk është parakusht për një reformë të mirë.

Për transparencën e financimit të fushatës elektorale, Kryeministri Rama pati edhe mbështetjen e kryetarit të opozitës. Por Basha tha se opozita nuk heq dorë nga qeveria teknike dhe zgjedhjet e parakohshme.

Për kreun e LSI, korrupsioni zgjedhor nuk është në përmasat që flitet publikisht dhe më së shumti këto janë alibi për humbësit e zgjedhjeve. Ai bëri edhe një propozim konkret për mënyrën sesi duhet të ndryshojë ligji elektoral.

Ambasadori amerikan, i pranishëm në këtë aktivitet, duartrokiti 3 aktorët politikë për vullnetin për të dialoguar ndërsa solli shembuj konkretë nga zgjedhjet e fundit, që dëshmonin presionin mbi votuesit.

Në fund, Ambasadori iu drejtua votuesve, duke iu kujtuar se nuk duhet të ankohen për të zgjedhurit e tyre, pasi e kanë vetë në dorë fatin e njerëzve që marrin vendime për ta.

Tv Klan