Kur të gjithë duan të dinë si do të jetë kabineti i ardhshëm qeveritar, Kryeministri Edi Rama tha në Korçë se do të ndërtojë një koalicion me qytetarët. Kreu qeverisë tha se ata do të kenë mundësi tu kërkojnë llogari ministrave të ardhshëm.

“Pra një komunitet i caktuar, ka një problem po themi me djegien e mbeturinave. Do i kërkojmë ministrit përkatës interpelancë, dhe interpelanca do të zhvillohet në platformë, online. Dhe ministri do japë llogari.”

Rama tha se problemet me administratën do të jenë në qendër të mandatit të ardhshëm për shkak të gabimeve të bëra në të kaluarën. Në këtë pikë ai drejton shigjetat nga ish-aleati në qeveri, LSI-ja.

“Një drejtues i rëndësishëm bujqësie masazhator, se kujt do i bëjë masazh ai atje, a domateve, a patateve, a kastravecit? Mund t’i bëjë masazh ministrit dhe t’ia bëjë falas meqë është drejtor bujqësie…Aty përgjegjësia ka qenë e të gjitha partive pa përjashtim, pavarësisht se ndonjë parti më e vogël që filloi të bëhet e madhe, dhe desh të bëhej aq e madhe saqë nuk arriti dot të përballojë madhësinë dhe plasi. ”

Sa iu përket akuzave të PD dhe LSI mbi idetë mbi reformën në administratë, Rama tha se beteja nuk do të jetë me partitë në parlament, por me ata që abuzojnë me qytetarët.

“Ne do të punojmë për të gjithë, nuk do ia lëmë ata që s’na votuan në dorë as Lulit dhe as Monikës, nuk do i lëmë rrugëve. Ne nuk jemi votuar që të merremi me opozitën politike, ata janë votuar të merren me ne. Opozita jonë janë parazitët dhe grabitqarët që u marrin frymën njerëzve.”

Pas krijimit të qeverisë së re Rama tha se do të nisin dëgjesat me qytetarët për buxhetin e vitit të ardhshëm./Tv Klan