Kryeministri Edi Rama ka përfunduar takimin me koordinatorët e Partisë Socialiste në qarqe, ku raportohet se është vendosur për ndryshimin e katër ministrave.

Emrat e Ministrave të shkarkuar nuk janë bërë ende të ditur zyrtarisht.

Mbledhja vjen një ditë pas lajmeve për ndryshime të mundshme në qeveri dhe zëvendësimit të disa prej ministrave kryesorë të kabinetit.

Burime zyrtare pranë kryeministrit i thane Tv Klan të shtunën se kreu i qeverise ka hartuar një plan konkret për të nisur menjëherë fushatën elektorale në baze qe javën e ardhshme, plan që parashikon që disa nga ministrat qe janë dhe koordinator në qarqe që për selinë roze konsiderohen si te rëndësishëm, duhet te sakrifikojnë portofolet e tyre në mënyrë që të angazhohen maksimalisht për të punuar për fitoren ne zgjedhjet e 18 qershorit.

Plani i kryeministrit do te diskutohet me strukturat drejtuese të partisë socialiste ditën e hënë, dhe vetëm pas kësaj mbledhje do të mësohet emrat e ministrave që do të lënë qeverinë. Gjithesesi të njëjtat burime konfirmojnë se ministrat e rinj do të jenë figura politike.

Nisur nga logjika mbi te cilët kryeministri ka hartuar planin e tij që do të sjellë ndryshimet në qeveri, duken se ministrat me të mundshëm për te lënë detyrën dhe për t’u marre me punët e partisë janë ministri Tahiri i cili drejton dhe qarkun me te madh dhe më të rëndësishëm Tiranën, ministri i Jashtëm që është koordinator i strukturave te Shkodrës apo Ilir Beqja ne Kukës. Të tjerë ministra që janë dhe të deleguar të partisë socialiste në qarqe janë Blendi Klosi në Berat, Lindita Nikolla ne Lezhe Damian Gjiknuri në Vlorë, Zv/kryeministri Peleshi në Korçë dhe ministrat Çuçi e Kumbaro ne Gjirokastër.

Ky vendim i kreut te qeverise vjen vetëm afro 2 muaj nga mbarimi i mandatit te tij qeverisës, dhe  bëhet i ditur një ditë pasi u kthye nga një vizitë zyrtare në Berlin, ku u takua dhe me ministrin e Jashtëm gjerman.

Koordinatoret e PS në qarqe

Saimir Tahiri – Tiranë

Blendi Klosi – Berat

Ilir Beqja – Kukës

Ditmiri Bushati – Shkodër

Lindita Nikolla – Lezhe

Vangjush Dako – Durrës

Niko Peleshi – Korçë

Damian Gjiknuri – Vlorë

Taulant Balla – Elbasan

Blendi Çuçi dhe Mirela Kumbaro – Gjirokastër

Gramoz Ruci – Fier

Mimi Kodheli – Dibër