rama ne ps“Ia kemi plotësuar të gjitha kërkesat opozitës dhe nuk kemi se çfarë t’u plotësojmë më. Ajo është e lirë të bëjë zgjedhjen e saj”. Kështu mësohet të jetë shprehur në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, mbajtur mbrëmjen e së hënës, lideri i PS-së dhe njëkohsisht Kryeministri i vendit, Edi Rama.

Kryeministri Rama, ka informuar deputetët e partisë së tij në lidhje me takimet dhe negociatat që ka patur me dy përfaqësuesit e Parlamentit Europian, Fleckenstein dhe Kukan, në lidhje me marrëdhënien pozitë-opozitë dhe rikthimin e kësaj të fundit në Kuvend pas bojkotit thuajse 6 mujor.

Kryeministri Rama ua ka bërë të ditur edhe deputetëve të grupit të tij parlamentar, qendrimin që ka mbajtur në këto takime.

Sipas Ramës, mazhoranca nuk ka çfarë t’i ofrojë më shumë se çka ofruar deri më tani në lidhje me marrëdhënien mes saj dhe opozitës dhe se ekzistojnë të gjitha garancitë e mundshme për një betejë parlamentare normale nga ana e opozitës.

Në fakt këto qendrime Kryeministri Rama i ka bërë të ditur edhe më parë edhe gjatë takimeve që pati në Bruksel, dhe duket se të njëjtën gjë ua ka rithënë edhe dy euordeputetëve të ardhur në Tiranë për të zbutur qendrimin mes palëve dhe për të bindur opozitën për tu rikthyer në Kuvend.

Gjithashtu, burime të sigurta brenda grupit parlamentar socialist pohojnë se gjatë mbledhjes janë miratuar edhe tre kandidaturat si anëtare të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, ku bie në sy edhe emri i Gent Sejkos, kandidati i dekretuar nga Presidenti i Republikës si Guvernator i Bankës së Shqipërisë.

Vendim në fakt që duket si surprizë, pas oponencës që iu bë fillimisht nga deputetë të ndryshëm brenda grupit parlamentar të PS-së kandidaturës së z.Sejko.

Votimi i z.Sejko si anëtar i këshillit mbikqyrës edhe nga grupi parlamentar socialist e me gjasë edhe nga ai i LSI-së, do të thotë hapje rruge votimit PRO edhe të dekretit të Presidentit Nishani, që e emëron z.Gent Sejko si Guvernator të Bankës së Shqipërisë, për katër vitet e mbetura pa shlyer nga mandati i ish guvernatorit Fullani.

Dy kandidatët e tjerë që PS do të mbështesë si anëtare të këshillit mbikqyrës janë Tonin Kola dhe Natasha Ahmetaj.

Tv Klan