Paralajmërimin e bërë nga mbledhja e grupit parlamentar javën e kaluar për nisjen e aksionit kundër informalitetit ndaj biznesit të madh, Kryeministri Rama e detajoi në komunikimin javor, ku tha se janari është afati i fundit që kompanitë të rregullojnë bilancet e tyre.

Në janar, tradita çerek shekullore e biznesit të madh që punon me dy bilance, do të marrë një goditje të fortë, sepse qeveria do të njohë vetëm bilancet e paraqitura prej kompanive në banka. Dhe bilancet e tatimeve do të duhet të jenë të përputhura me ato të bankave, për çdo kompani. Por, qysh në ditët në vijim ne do të përsërisim apelin për të gjitha bizneset e mëdha që për një çerek shekulli janë mësuar t’ia hedhin shtetit në deklarimin e të ardhurave, e të pagave të punonjësve, të futen menjëherë në një proces të thellë dhe të shpejtë vetërregullimi

”, tha Rama në komunikimin e tij javor me ndjekësit në rrjetet sociale.

Kryeministri paralajmëroi se forca e ligjit do të godasë çdo biznes që gjendet në kushtet e mashtrimit.

Forca e ligjit do të ushtrohet më fort se asnjëherë më parë, mbi çdo biznes që do të gjendet në kushtet e mashtrimit për pagesat dhe detyrimit për punonjësit e vet. Kështu nuk mund të vazhdohet më dhe ne jemi të vendosur që kështu të mos vazhdohet më.

Kryeministri Rama e cilësoi të papranueshme shmangien e detyrimeve, duke mos deklaruar pagën reale të 42 mijë të punësuarve nga ana e biznesit të madh.

Në kuadër të luftës kundër informalitetit qeveria do të zgjerojë në fillim të vitit të ardhshëm edhe bazën e TVSH-së  për biznesin e vogël.

Tv Klan