Dëgjesën me qytetarët e Beratit, kryeministri Rama e nisi me një paralajmërim per kreun e ALUIZNI-t të këtij qyteti. Pas ankesës së një të moshuare se ende nuk kishte marrë legalizimin e banesës edhe pse pagesën e kishte kryer që në vitin 2012, kreu i qeverisë kërkoi zgjidhje të problemit brenda 24 orëve, në të kundër dorëheqjen e drejtorit.

“Nesër o merr legalizimin ajo ose ikën ti nga detyra.. sepse e the mire që në 1912, se ajo që pret nga 2012, i duket që… Nesër jepi dokumentet në dorë ose përgatit ti dorëheqjen”,

iu drejtua Kryeministri Rama kreut të ALUIZNI-t Berat.

Një dosje të ngjashme me listën e publikuar nga vetë ai për zyrtarët që nuk meritojnë të jenë në zyrat e shtetit, kreut të qeverisë iu dorëzua nga një qytetar i Beratit.

“Kam një dosje me persona të punësuar në fusha jo përkatëse .. jane OSHEE, ndërtim, psikolog”,

tha qytetari.

Për kryeministrin besimi që i dhanë shqiptarët në 25 qershor duhet përligjur me një model të ri qeverisje.

“Këtu nuk është fjala LSI dhe të ikin ata dhe të vijne disa me flamurin e Partisë Socialiste, këtu është fjala që tepsinë do e çojmë për skrap. Ne nuk kemi fituar gjë, thjesht kemi marrë një përgjegjësi shumëfish, detyra jonë është të provojmë se shqiptarët, njerëzit, kazani mediatik ça s’u tha,…po të bësh punën njerëzit nuk i gënjen dot as Saliu. Në opozitë nuk kemi as PS, as partnerët tanë deri në fund te gushtit, në opozitë kemi grabitqarë. Partitë e tjera të bien në punë me të shara dhe ulërima, ne nuk kemi punë me ta. Ne ua kërkuam timonin, na e dhanë timonin. Armiqtë tanë janë parazitet dhe gjyqtarët në zyrat e shtetit. Kurse opozita të bejë punën e vetë, nga ne s’do dëgjoni as ulërima as të shara”,

deklaroi Kryeministri.

Teksa deklaroi se Partia Socialiste do të jetë në aleancë vetëm me qytetarët, Rama shpjegoi edhe si do të funksionojë platforma e bashkëqeverisjes me ta.

“Ata që duan të jenë anëtarë të koalicionit qeverisës, mund të regjistrohen dhe të jenë aktivë në këtë mekanizëm dhe të kenë akses në procesin e vendimmarrjes realisht, sipas aktorëve ku janë të interesuar. Unë e kam ndjekur aktivitetin, po nëse kjo bisedë që u bë këtu do bëhej në kontakt me njerëzit që drejtojnë turizmin kjo do ishte më e vlefshme nëse kjo dhe të tjerë do bëhen pjesë e koalicionit, do kemi një produkt më cilësor. Ata do marrin informacion vazhdimisht pa i kërkuar, do marrin vendimet e qeverisë, projektligjet, do kenë pjesë për të diskutuar. Nëse do kemi këte koalicion do t’i shohim drejtorët që do të jenë në rrezik të vazhdueshëm, sepse mund të jetë anëtar i koalicionit, dhe nëse nuk e merr letrën e çon fjalën deri te ministri dhe pasojat i merr direkt nëse e drejta është e qytetarit”,

u shpreh Rama.

Sipas kryeministrit, burokracitë nga zyrat e shtetit në 4 vitet e mandatit të dytë duhet të marrin fund. TV KLAN