Nga Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste ku u analizuan 100 ditët e qeverisë kryeministri zbuloi për herë të parë arsyet e ndarjes me LSI-në,  si një mënyrë për të shpjeguar  edhe qëndrimet e fundit të opozitës PD-LSI në sallën e parlamentit. 

 

“Për të mos kompromentuar Reformën në Drejtësi ndau rrugët tona me aleatin e deri djeshëm të mandatit të parë qeverisës. Janë rikthyer në çadër me të njëjtat kërcënime dhe me të njëjtin qëllim, mos lejimi i çuarjes përpara të reformës në drejtësi”.

Për kryeministrin ky qëndrim i opozitës vë në rrezik rrugën europiane të Shqipërisë.

Duke komentuar  thirrjet për protesta të opozitës, Edi Rama tha se kjo nuk e pengon arritjen e një dakordësie për çështjen e negociatave.

“Viti pati si kulminacion Vettingun dhe u kthye si arsye për tu parë dhe më dukshëm dhe ndarja. Nga njëra anë ne dhe ana ana tjerët ata që u mblodhën në çadër për disa muaj me radhë, por me betimin për të mos lejuar Vettingun. 

Pas kalimit me sukses të një mali të lartë të ngritur artificialisht jo në rrugën tonë si PS, por në rrugën e Shqipërisë, u gjendëm përballë akuzës se ne e kemi shkelur marrëveshjen dhe jemi në kushtet ku opozita, por edhe partia tjetër ku ne ndamë shumë rezultate të rëndësishme të reformave tona janë rikthyer në çadër me të njëjtat kërcënime dhe më të njëjtin qëllim”.

Gjatë fjalës së tij në asamble Kryeministri u ndal edhe në 100 ditët e qeverisë së tij, ku kërkoi nga vartësit e tij që përtej një ekonomie me shifra në rritje, t’u mundësojnë shqiptarëve një mirëqenie të prekshme në portofolet familjare.

Rikandidimin e të zgjedhurve vendorë socialistë, kryeministri e kushtëzoi me suksesin në reformën e ujit.

Edhe në 100 ditët e qeverisë “Rama 2” kryeministri tha se prioritet i kabinetit të tij do të vijojë të jetë reforma në arsim, shëndetësi, policitë e burgjeve, si dhe ajo në inpektoriate.

Tv Klan