Dy ditë pasi arritje marrëveshje me kryedemokratin Lulzim Basha për zgjidhjen e krizës politike në vend, Kryeministri Edi Rama tha nga Korça se kjo parti mbetet kërcënim shumë i madh për Shqipërinë, pasi nuk di të bëjë shtet.

Sot jemi në kushte komplet të tjera nga 48 orë më parë, do të shkojmë në zgjedhje me programin tonë, me skuadrën tonë dhe do të kemi përballë PD, që pavarësisht se hyri në zgjedhje mbetet një kërcënim shumë i madh për këtë vend, për shkak të mungesës së vizionit, mungesës së skuadrës dhe të mungesës së aftësisë për të bërë shtet

”, tha Rama.

Duke folur në një takim me fermerët e zonës Progër në Devoll, ai tha se “

ajo që PD ka treguar historikisht, deri 48 orë përpara, ka qenë se nuk dinë të bëjnë shtet, dinë vetëm që ta çmontojnë shtetin. Pra ajo që kemi për të humbur në rast se kthehemi prapa është katastrofë. Në 3 vite e gjysmë kemi bërë më shumë reforma se në një çerek shekulli. Nëse këto reforma do të ishin bërë përpara, do të kishim një Shqipëri komplet tjetër.

Kryeministri foli edhe për rëndësinë e vendosjes së një dialogu normal pozitë opozitë pa qenë nevoja për ndërmjetës ndërkombëtarë.

Është tepër e rëndësishme të vendoset një nivel i ri dialogu, mirëkuptimi dhe të mos jemi më një vend qesharak ku duhet të vijnë shkesë nga Hëna, që ne të takohemi me njëri-tjetrin, por të takohemi normalisht, të diskutojmë normalisht. Kjo do të përkthehet në një klimë komplet tjetër pune për ekonominë, për punësimin e kështu me radhë. Aq më tepër që tani ne kemi realizuar objektivin më të vështirë të këtij mandati, më të vështirin dhe më të pamundurin në dukje. Kemi realizuar fillimin e zbatimit të reformës në drejtësi dhe prokurorët e gjykatësit e korruptuar që jua kanë nxirë jetën edhe juve, i kanë ditët e numëruara dhe do të përgjigjen përpara ligjit.

”/tvklan.al