Kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje Partisë Demokratike që të ulet për dialog, për të zgjidhur dhe gjetur çdo mekanizëm që do të garantonte siguri për opozitën në zgjedhjet e ardhshme. Në komunikimin e tij javor në rrjetet sociale, kreu i qeverisë theksoi se nuk do të ketë as qeveri teknike dhe as shtyrje të zgjedhjeve.

“Thirrja ime për Partinë Demokratike është sërish bujrum, të dialogojmë dhe të votojmë sëbashku çdo ndryshim që sipas tyre e forcon ligjin e zgjedhjeve. Të dialogojmë dhe të vendosim sëbashku për çdo mekanizëm që i duhet Partisë Demokratike që të ndjehet plotësisht e garantuar në zgjedhje. Të dialogojmë për gjithçka mund të dialogojmë, duke negociuar për çdo gjë që kemi në dorë. Por qëndrimi im është dhe do të mbetet i pandryshuar, lidhur me çfarë nuk kemi në dorë. Prandaj PD duhet ta harrojë qeverinë teknike dhe shtyrjen e zgjedhjeve. Zgjedhjet i takojnë popullit jo partive, qeveria zgjidhet nga populli jo nga çadrat e partive. Me dinjitetin e Shqipërisë ne nuk luajmë dhe arritjet e derisotme demokratike të Shqipërisë ne nuk i negociojmë. Për arritje të reja ne jemi gati të dialogojmë me gjithkënd, por askush nuk na imponon dot përsëritjen e havazeve të vjetra. E shkuara nuk do të përsëritet më. E ardhmja do të vendoset më 18 Qershor, jo për 4 vitet e ardhshme po për fatin e një gjenerate. Me hir apo me pahir, partitë do t’ nënshtrohen zgjedhjes së popullit”.

Rama theksoi se zgjedhjet janë e drejtë e popullit dhe se, me apo pa Partinë Demokratike populli do të votojë në garën për kreun e Bashkisë së Kavajës. Sipas Kryeministrit, kriza e Partisë Demokratike as nuk është e nuk do të bëhet e vendit. Ndaj ai e ftoi opozitën që ta rishikojë vendimin e saj për të mos marrë pjesë.

“Presidenti dekretoi zgjedhjet e parakohshme në Kavajë, ku projekti transformues i rilindjes urbane dhe i rritjes së ekonomisë lokale hap pas hapi, duhet dhe do të vazhdojë. PD ka deklaruar menjëherë se nuk do të hyjë në zgjedhjet e 7 Majit, në qytetin ku ajo qeverisi me një bilanc katastrofik, për 21 vjet me radhë. Uroj të rimendohet dhe të mos i lerë demokratët e thjeshtë pa alternativën e tyre, sepse zgjedhjet janë e drejta themelore e popullit, e njerëzve të zakonshëm pa dallim, jo një tekë e partive politike. Sidoqoftë, kriza e thellë e Partisë Demokratike, as nuk është e as nuk do të bëhet kriza e vendit. Politikanë të dëshpëruar, të paaftë për t’i ofruar vendit një alternativë serioze qeverisëse dhe të trembur nga drejtësia që populli kërkon me patjetër, as nuk mund ta marrin peng popullin, as nuk mund ta destabilizojnë vendin në emër të lirisë së opozitës për të ikur në drejtim të paditur. Me apo pa pPartinë Demokratike, populli duhet dhe do të zgjedhë i lirë në ditën e sovranitetit të tij të pa kundërshtueshëm. Qoftë në zgjedhjet për kryetarin apo kryetaren e Bashkisë së Kavajës, qoftë në zgjedhjet për parlamentin e ri dhe qeverinë e Shqipërisë për 4 vitet e ardhshme. ” 

Më tej, Kryeministri theksoi se si për zgjedhjet në Kavajë, ashtu sikurse edhe në zgjedhjet e përgjithshme do të respektojë të drejtën e popullit shqiptar. Ai tha se është bërë shumë, si për Kavajën edhe për të gjithë vendin, po u shpreh i ndërgjegjshëm sa ka ende shumë punë për të bërë.

“Natyrisht që ne do ta respektojmë këtë të drejtë themelore të popullit të Kavajës dhe do t’i nënshtrohemi gjykimit të tij më 7 Maj, ashtu sikurse do të respektojmë të drejtën e popullit shqiptar, për të na gjykuar më 18 Qershor.” 

/tvklan.al