Në reagimin e tij të parë pas publikimit të audiopërgjimit për vëllain e Ministrit të Brendshëm nga ana e Partisë Demokratike, e cila akuzon Agron Xhafajn se vazhdon trafikun e drogës, edhe tani që i vëllai është ministër, Kryeministri Edi Rama tha se Ministri Fatmir Xhafaj nuk duhet të përgjigjet as moralisht dhe as ligjërisht, por të vazhdojë detyrën.

Unë e kam marrë mbrëmë përgjigjen e analizës shkencore të kryer në një prej laboratorëve më seriozë të botës, mua ajo përgjigje më mjafton, jo për të vënë ulërimë kundër hetimit, apo për të influencuar hetimin, por për t’ju thënë juve se nuk jemi absolutisht përpara asnjë lloj prove komprometuese ndaj ministrit të Brendshëm, por para një akti mashtrimi të opinionit publik dhe atij ndërkombëtar me një materiali jo autentik, përmes të cilit synohet destabilizimi i qeverisjes dhe mundësisht shkatërrimi i segmentit të fundit të rrugës për çeljen e negociatave me BE

”, tha Rama të mërkurën gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, ku megjithëse i pranishëm ishte edhe Ministri Xhafaj, ai nuk u prononcua për mediat.

Ne nuk kemi njerëz për të lëshuar në dhëmbët e ujqërve, por nuk jemi njerëz që u kërcasim dhëmbët njerëzve të drejtësisë kur çdonjëri prej nesh vihet nën akuzë prej tyre.  Tani akuzat sot nuk vijnë nga organet e drejtësisë, dhe nuk kanë asnjë lidhje me të drejtën si vlerë, por as nuk mund të neglizhohen dhe as mund të lihen vetëm me sqarimet e radhës. Sepse tanimë në majën e thikës ë tyre qëndron një material konkret për të cilin dikush duhet të përgjigjet, jo me fjalë por me burg. Sot që flasim, ministri i Brendshëm nuk duhet të përgjigjet, ligjërisht jo e jo, por as moralisht.”

Rama akuzoi opozitën shqiptare se nuk po lë pengesë pa ngritur dhe pabesi pa bërë, për të pamundësuar hapjen e negociatave të BE-së me Shqipërinë.

Rama tha se për vëllain e e Xhafajt nuk ka pasur asnjë kërkesë për ekstradimin e tij në Itali. “Në mungesë të kësaj kërkese, ligjërisht Shqipëria nuk ka vepruar dot, se s’ka pasur si të veprojë as në kohën kur qeveriste ujqëria e sotme opozitare dhe as deri sot që ne qeverisim.”

 

“Për ne dhe për mua askush nuk është mbi ligjin, dhe kjo vlen për vëllain e Ministrit të Brendshëm që ka një dënim për të kryer në Itali dhe që sot ka marrë vendimin e tij për të shkuar me këmbët e veta në burg për ta kryer, por kjo vlen edhe për qeverinë, që nuk mund ta ndalonte dhe ta çonte në Itali duke shkelur ligjin.”

 

Reagimi i Ramës në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS vjen pak pasi vetë Agron Xhafaj tha në një letër publike se 

“do t’u drejtohet vetë autoriteteve italiane të drejtësisë për të ekzekutuar një vendim dënimi penal të tyre kundrejt meje

edhe pse nuk ka patur asnjëherë (nuk ka akoma edhe sot) asnjë kërkesë dhe asnjë interes nga organet e drejtësisë italiane për të ekzektuar këtë vendim, edhe pse unë asnjëherë nuk kam qenë në kërkim për ekzekutimin e këtij vendimi, unë po e kryej këtë akt.

/tvklan.al