Kryeministri Edi Rama tha se gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar janë armiku numër një i Partisë socialiste dhe qeveria nuk do të tërhiqet për reformën në drejtësi para asnjë force dhe asnjë shantazhi.

Nëse duam të rrisim ekonominë dhe ta rrisim punësimin, duhet të pushojmë nga puna gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar. Janë ata që pengojnë vënien në vend të së drejtës për çdo qytetar. Janë ata armiku numër një publik i Partisë Socialiste.

Me këtë armik do të luftojmë me mish e me shpirt dhe nuk do të tërhiqemi, jo përpara çadrës, por as përpara asnjë force dhe asnjë shantazhi. Sepse ne jemi shumë krenarë që përfaqësojmë Shqipërinë që duam.

Kryeministri Edi Rama foli në një takim me të rinjtë që votojnë për herë të parë në Gjirokastër.

Me 18 Qershor nuk vendoset se kush do të drejtojë Shqipërinë për katër vitet e ardhshme, por vendoset për Shqipërinë e gjeneratës tjetër. Një kthim mbrapa sot do të ishte një fatalitet dhe do të na humbte një gjeneratë. Prandaj vota e 18 qershorit është shumë e rëndësishme.

Vota e 18 qershorit nuk është një ndeshje mes partish, por një ndeshje mes të ardhmes që duam dhe të shkuarës që nuk duam kurrë të rikthehet. Mes partisë Socialiste që kërkon një Shqipëri Europiane dhe atyre që janë në çadër dhe që janë të gatshëm të ndajnë për së gjalli Shqipërinë nga Europa, sepse Europa e do Shqipërinë në gjirin e saj, por e do Shqipërinë shtet, e do Shqipërinë me gjykata dhe me një drejtësi që bën drejtësi për njerëzit e vet. Nuk mund të pranojë Europa një Shqipëri ku drejtësi a është pazar, ku drejtësia është mall dhe ku një tufë të korruptuarish bëjnë ligjin siç ua do xhepi, interesi për të mbajtur në kthetra një popull të tërë. O me Europën, o me çadrën.”