Kryeministri Edi Rama thotë se për shkak të frikës nga Vetingu, opozita po përpiqet të bllokojë edhe integrimin europian të vendit. Kreu i qeverisë u shpreh i vendosur që vendi të shkojë në zgjedhje në 18 qershor, ndërsa paralajmëroi që “askush mos tentojë ta pengojë këtë datë”.

“Frika nga drejtësia po i jep jetë dita ditës qasjes destruktive të PD-së… frika nga drejtësia e ka kthyer frikën ndaj gjykimit të popullit në një ditë që nuk duan të vijë kurrë.

Janë gati ta sakrifikojnë Shqipërinë. Nuk e duan 18 qershorin, sepse populli nuk do të vendosë për 4 vitet e ardhshme në 18 qershor por për fatin e Shqipërisë. 18 qershori është dita e gjykimit dhe vendimit të popullit Sovran, për ti dhënë një mesazh shumë të qartë jo vetëm vendit por edhe ndërkombëtarëve…

Rama u shpreh i vendosur për të zhvilluar zgjedhje në 18 qershor pasi sipas tij kjo datë është e lidhur me të ardhmen e vendit.

18 qershori do të sjellë një vendim të qartë, o me Europën o me frikën ndaj Europës, o me reformën në drejtësi, o me frikën ndaj reformës, o me një qeveri që lufton përditë, o me një qeveri që na kthen mbrapsht në avazin e vjetër, në errësirë.

Kreu i qeverisë përsëriti se shqiptarët do të shkojnë në zgjedhje në 18 qershor.

Askujt të mos i shkojë në mendje se populli mund të ndalohet për të votuar në 18 qershor, këtë nuk do ta lejojmë kurrë.”

Tv Klan