Përmes një operacioni 6 mujor që do të marrë jetë në 24 nëntor, qeveria synon t’i japë fund ndotjes ambientale në të gjithë vendit. Plani operacional që është hartuar dhe do të drejtohet nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit parashikon penalitete të forta për ndotësit e ambientit.

Blendi Klosi: “Ne kërkojmë të ndërtojmë një sistem, i cili në këto 6 muaj do të ketë si kryefjalën e tij zbatimin e ligjit, forcimin e masave disiplinore dhe penale.”

Në këtë operacion do të përfshihet dhe Policia e Shtetit, e cila do të ketë zonat e saj të përgjegjësisë si në rastin e kanabisit.

Kryeministri Edi Rama: “Duke e ndarë Shqipërinë me parcela përgjegjësie për çdo komisariat, ne do të bëjmë të njëjtën gjë për të gjitha këto spote të papërgjegjshmërisë. Ky është një turp kombëtar, të cilin ne duhet ta heqim nga fytyra e vendit tonë.”

Plani parashikon dhe bashkëveprimin dhe organet e qeverisjes lokale, por kryebashkiakia demokrate e Shkodrës ankohet për mungesën e fondeve për pastrimin e mbetjeve urbane.

Voltana Ademi: “Asnjë nga bashkitë, nuk mbulojnë dot sot kostot përmes tarifave të mbledhura.”

Për kryeministrin më shumë se çështje fondesh e ndasish politike, pastrimi i Shqipërisë duhet të nisë nga përgjegjësia për ta ndryshuar situatën që në sezonin e ardhshëm veror, ndërsa në fund të 4 viteve Rama premton të mos ketë asnjë ndryshim nga shtetet europiane.

“Kudo ku të bëhet plazh në Shqipëri, plehrat që kanë bashkëshoqëruar të gjithë këto vite të jenë një kujtim i së shkuarës dhe për çdo rast që do të evidentohet, masat do të jenë drastike. Në këtë aspekt është shumë e rëndësishme që ne të kemi një mirëkuptim të plotë me të gjithë kryetarët e bashkive. Ju e dini sa e dua unë Voltanën, por këtu jemi të gjithë bashkë.”

Nismës për një Shqipëri më të pastër i janë bashkuar dhe një numër shumë i madh të rinjsh vullnetar.

Tv Klan