Kryeministri Edi Rama ka prezantuar pasditen e kësaj të shtune “mekanizmin e notës” si vlerësuese për punën e administratës.

Me një postim në Facebook, kryeministri tha se “Çdo institucion, zyrë, sportel, që u shërben qytetarëve do të jetë i gjykueshëm nga çdo qytetar/e që do të dëshirojë të vendosë notën e tij/saj (nga 1-10) pas marrjes së shërbimit.”

Rama tha se nga notat e qytetarëve do të gjenerohet periodikisht një notë mesatare, e cila do të bëhet publike.

“Ky vlerësim do të mundësojë informimin në kohë reale të publikut dhe të qeverisë, për nivelin e pëlqyeshmërisë së shërbimit në çdo zyrë a sportel të shtetit në rang republike.”

Kryeministri tha se përmes këtij vlerësimi, do të dalë edhe një koeficient për vlerësimin zyrtar të çdo drejtuesi të një institucioni shërbimesh, në nivel qendror apo vendor.

“Mbi bazën e këtij koeficienti do të ngrihet edhe një seri masash administrative, që nga shpërblimet e fundvitit për ata që shkëlqejnë, tek penalizimet përkatëse për ata që nuk e kalojnë provimin e publikut.”/tvklan.al