Kryeministri Edi Rama e cilësoi reformën në arsimin e lartë kthesë historike për të gjithë ata të rinj, që duan të ndjekin universitetet. Rama tha se ky sistem i garanton çdo maturanti një përfaqësim në shkollat e larta vetëm përmes meritës.

Kryeministri Edi Rama:

Dy gjëra mund të thuhen me sigurinë më të madhe që sot, duke u nisur jo nga premisat, as nga aspiratat, por nga fakti se në universitet, sot regjistrimi po bëhet me radhë dhe radhën po e përcakton merita, më të mirët përpara, të tjerët pas tyre, të papenguar, të pabllokuar, të paabuzuar, të papërjashtuar nga asnjë fuqi tjetër, as nga miku, as nga fisi, as nga partia, as nga leku, as nga shansi qorr i tjetrit. Në një proces ku secili mund të marrë vendin që i takon, por edhe më e rëndësishme, askush nuk mund t’i zërë tjetrit vendin, duke përdorur fuqi jashtë meritës së vetë.

Kryeministri tha se e gjithë procedura që po ndiqet për regjistrimet e maturantëve në universitete është transparente. Një koment kreu i qeverisë e pati edhe për kritikët e zgjatjes së procesit të regjistrimeve në shkollat e larta.

Kryeministri Edi Rama:

Atyre që thonë, pse ky proces duhej të zgjatej në këtë formë, duhet t’ju themi një të vërtetë shumë te thjeshtë; Procesi ishte po kaq i gjatë edhe vjet, edhe parvjet dhe me vite, por ishte jo transparent, zhvillohej jashtë vëmendjes së maturanteve, jashtë vëmendjes së prindërve, jashtë vëmendjes së trupës. Të gjithë prisnin rezultatet në fund të tetorit dhe askush nuk kishte as të drejtë ankimimi, as mundësi për të riparuar një dëm që mund të ishte bërë. Ndërkohë ajo që ka ndryshuar në kuptimin e kohës dhe të procesit është se të gjithë e kanë procesin në dorë, në celularin apo në kompjuterin e tyre. Sigurisht që është konkurrencë dhe konkurrencë pa stres nuk ka, garë pa ethe nuk ka dhe meritë që të afirmohet pa një proces të tillë nuk mund të ketë.

Kryeministri Rama tha se qeveria e tij do të mbështesë çdo universitet, qoftë ky publik apo privat, për sa kohë janë të akredituar./ TV KLAN