Në mesin e debatit publik për ligjin e mbetjeve, kreu i qeverisë zgjodhi të inspektojë një fabrikë riciklimi në Kashar për të mbrojtur ligjin e miratuar në parlament me 63 vota.

Ai tha se rritja e kapaciteteve të riciklimit jo vetëm do të sjellë të ardhura plus për ekonominë e vendit, por do të japë efekte pozitive në pastrimin e territorit.

Kryeministri Edi Rama:

“Nëse ju sot pastroni 120 mijë ton mbetje të këtij lloji nga territori i Shqipërisë, nga territori i qendrave urbane, ne duam këtë ta shtojmë dhe të mos lëmë më asnjë gjë të riciklueshme që të na iki dëm. Ricikluesit thanë se në rast se kjo industri do të stoponte për shkak të mospërballimit të kostove, minimalisht 10 mijë ton mbetje në muaj do të mbeteshin rrugëve. Ndërkohë që në ekonominë kombëtare gjeneron 150 milionë euro, ose 1% të Prodhimit të Brendshëm Kombëtar”.

Për të lehtësuar punën e fabrikave të riciklimit kryeministri lajmëroi ngritjen e një sistemi për diferencimin e mbetjeve që do të shtrihet në disa bashki të vendit.

Kryeministri Edi Rama:

“Ka ardhur një moment që industria nuk e çon dot më përpara këtë proces për arsye të kostove të larta që ka dhe të faktit që Shqipëria akoma nuk ka diferencim të këtyre mbetjeve në burim, domethënë, kazan. Dhe tani, lejimi i importit të këtyre lloj mbetjeve që janë faktikisht lëndë e parë për prodhim do të fuqizojë industrinë, pa e lënë që të falimentojë siç ndodhi me 2 fabrika deri tani dhe paralelisht me ngritjen e sistemit të mbetjeve të diferencuara që do të fillojë në disa bashki, do të sjelli që Shqipëria do të jetë shumë më e pastër”.

Sipas kryeministrit ajo që njerëzit duhet të kuptojnë është se ligji i ri për importin e mbetjeve ka një qasje tjetër në raport me ligjin e vjetër dhe synon ta bëjë Shqipërinë më të pastër./TV KLAN