Shtyrja e vizitës se paralajmëruar të Kryeministrit Rama në Beograd, e njohur nga mediat si zgjidhje e negociuar nga kancelarja Merkel, për Ambasadorin gjerman në Tiranë ishte një zgjidhje e mençur.

Hoffman

Hellmut Hoffmann – Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri: “Shqipëria vlerësohet për rolin e moderuar që ka luajtur për shumë vite në rajon. Në këto ditë jo fort emocionuese mund ta shohësh se asgjë nuk merret gratis por duhet përpjekje nga të gjitha palët për pajtim. Në rrethana fatkeqe është e zgjuar të shtysh një vizitë të rëndësishme. Është e rëndësishme që të vazhdojmë të angazhohemi në mënyrë konstruktive. Ditët dhe javët në vazhdim do përdoren në mënyrë domethënëse. Kjo ngjarje na ndihmon për të parë prioritete strategjike dhe si do jemi të angazhuar në të”.

Kryeministri Rama duke vlerësuar ndërhyrjen e Gjermanisë për të ndihmuar që paqja e brishtë e Ballkanit sipas tij të mos dëmtohet nënvizon sfidën që ka i gjithë rajoni ynë për të bashkëjetuar dhe bashkëpunuar në harmoni që në këndvështrimin e kreut të qeverisë shqiptare duhet të funksionojë si një skuadër.

Rama

Edi Rama – Kryeministër i Shqipërisë: “Sfida që na është bërë është që nëse duam të afrohemi më shpejt me Europën duhet të funksionojmë si një skuadër. Jo vetëm që nuk duhet t’i vëmë stërkëmbësha njëri – tjetrit, por as duhet ta imagjinojmë se mund të jetojmë dhe mund të shkojmë larg me njëri – tjetrin duke bërë autogola dhe duke pretenduar që janë gola ndaj tjetrit”.

Droni që valviti flamurin e Shqipërisë së madhe në stadiumin e Beogradit është kthyer tanimë një objekt humori dhe nuk mungoi as në fjalën e Kryeministrit në aktivitetin e organizuar për ditën e marrëdhënieve Shqipëri – Gjermani.

Edi Rama – Kryeministër i Shqipërisë: “Unë do të doja të thoja disa fjalë shumë të sinqerta për bashkëpunimin mes Gjermanisë dhe Shqipërisë, duke përgëzuar në radhë të parë autorin e logos, që më duket shumë i frymëzuar nga ndeshja Shqipëri-Serbi, edhe pse mungon droni, por është e qartë valëvitja e dy flamujve të lidhur me njëri-tjetrin”.

Kryeministri ka vlerësuar rolin e Gjermanisë jo vetëm në rafshin diplomatik për të ardhmen e marrëdhenieve ballkanike por dhe për ndihmën financiare që ka dhënë në këto vite bashkëpunim mes dy vendeve tona.

Tv Klan