Për Kryeministrin Edi Rama, masat e marra në policinë e Gjirokastrës, për një ndërtim pa leje në lumin Vjosë, duhet të jenë vetëm fillimi.

“Shkarkimet në polici për krimin mbi Vjosë duhet të jenë vetëm fillimi dhe duhet të bëhen normë për çdo krim mjedisor. Policia që duam”,

shkruajti Rama në një reagim në rrjetet sociale

.

Mosveprimi nga ana e strukturave vendore të Policisë Gjirokastër në rastin e këtij ndërtimi pa leje në Grykën e Këlcyrës në lumin Vjosë, çoi këtë të premte në disa shkarkime e paralajmërime.

Për shkeljet dhe mangësitë e konstatuara, numri një i policisë Haki Çako shkarkoi nga detyra shefin e Komisariatit të Policisë Përmet, Kryekomisar Gazment Shehun, shefin e Stacionit të Policisë Këlcyrë, Nënkomisar Edmond Anxharën, përjashtimin nga Policia e Shtetit të Inspektorit Dashnor Jakupi, Specialist i Policisë së Zonës.  

‘Vërejtje me paralajmërim’, u dha për Zëvendësdrejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, Drejtues Koço Dafa; ndërsa për Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, Drejtues i Parë Lorenc Panganika u dha ‘Vërejtje’.

Për rastin, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, referoi materialet në Prokurori për “Shpërdorimit të detyrës” edhe për Kryekomisarin Gazment Shehu, Shefi i Komisariatit të Policisë Përmet; Nënkomisarin Edmond Anxhara, Shefi i Stacionit të Policisë Këlcyrë, si dhe Inspektorin Dashnor Jakupi, Specialist i Policisë së Zonës. 

/tvklan.al