Samiti i Triestes mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian u mbyll me firmosjen e Traktatit të Komunitetit të Transporteve, që synon lehtësimin e lidhjeve tregtare dhe bashkëpunimin më të ngushtë mes vendeve në rajon.

Paketa e investimeve infrastrukturore, si edhe krijimi i një zone të përbashkët ekonomike ishin dy pikat kyçe të Samitit. Kryeministri Rama u shpreh i kënaqur me rezultatet në përfundim të tij.

“Një samit inkurajues për ecurinë europiane të rajonit dhe po ashtu për Shqipërinë, që këtë herë është e para në listën e projekteve të fituara për financim”.

Sipas qeverisë shqiptare, vendi ynë ka përfituar 30% të fondeve të vëna në dispozicion për 4 projekte. Kryeministri italian Gentiloni theksoi se këto nisma do të përmirësojnë marrëdhënien e Ballkanit me Bashkimin Europian.

“Nuk e di nëse Samit i Triestes do të mbahet mend në historinë e rajonit, si Samiti që nisi këtë perspektivë të jashtëzakonshme, por sigurisht kjo perspektivë, ky plan veprimesh që i jep jetë një zone ekonomike, që bën bashkë tarifa, shkëmbime tregtare në një zonë prej 20 milionë banorësh është një perspektivë e jashtëzakonshme”.

Gentiloni nënvizoi se integrimi i Ballkanit është një realitet i patjetërsueshëm.

“Mesazhi thelbësor është i fortë dhe i qartë. Integrimi i Ballkanit perëndimor në Bashkimin Europian është një zgjedhje strategjike dhe e pakthyeshme”.

Samiti i Triestes është pjesë e nismës së Kancelares Angela Merkel, ndërmarrë në Berlin 3 vjet më parë. Zyra e Kryeministrit njoftoi se në takim kancelarja gjermane ka përgëzuar Kryeministrin Rama për progresin që ka bërë vendi me qeverinë e tij.

Edhe Komisioneri Hahn duke folur nga Trieste tha se perspektiva e BE-së është të transformojë Ballkanin, me qëllimin kryesor që të pengojë braktisjen e rajonit nga të rinjtë, çka do të ulte edhe tensionet nga e kaluara.

Tv Klan