Kryeministri Edi Rama në komunikimin e fundjavës nuk tregoi shenja tërheqjeje nga qëndrimi për të çuar mandatin qeverisës në fundin e afateve që parashikon kushtetuta, duke i bërë të qartë opozitës se s’ka ndërmend të pranojë kushtet e saj.

Sipas kreut të qeverisë kriza që kërkon të imponojë opozita është artificiale dhe shkon ndesh me interesat e shqiptarëve.

Duke shprehur bindjen se Partia Demokratike do të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit kryeministri tha se çdo vetë-përjashtim i opozitës nga jeta parlamentare, nuk do ta pengoje mazhorancën të respektoje datën e zgjedhjeve.

Kreu i qeverisë u ripërsëriti gatishmërinë për t’u ulur dhe dialoguar me opozitën për çdo ndërhyrje në Kodin zgjedhor dhe çdo propozim që do të jetë në respekt të rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it.

Tv Klan  

…………………

(17:16) Rama: S’ka qeveri teknike dhe as shtyrje zgjedhjesh por jemi të gatshëm për dialog

Kryeministri Edi Rama tha se mazhoranca është e gatshme për dialog me opozitën, edhe në çadrën e saj, porse nuk do të ketë qeveri teknike dhe as shtyrje zgjedhjesh.

“Opozita mund ta kërkojnë largimin e qeverisë gjithë ditën dhe qeveri teknike gjithë natën, por s’mund t’ia imponojë këto qeverisë,” tha Rama, i cili shtoi se kjo qeveri do të vazhdojë punën deri ditën e zgjedhjeve.  

“Pavarësisht se mosparaqitja në zgjedhje e partisë më të madhe të opozitës apo e kujtdo partie parlamentare është një anomali e rëndë, ne nuk do t’i bashkohemi kurrë një mungese të tillë haluçinante të respektit të politikës për popullin. Ne do të respektojmë datën e zgjedhjeve dhe deri në atë datë do të angazhohemi në fushatë si asnjëherë më parë.”

“Jemi në Marsin e 2017-ës, nuk jemi në marsin e 1997-ës dhe përpjekjen tonë për të bërë shtet dhe Shqipërinë e gjeneratës tjetër nuk e ndal dot askush dhe asgjë,” tha Rama.

Rama tha se “çadra e Bulevardit” pret atë që nuk do të vijë ndonjëherë, “sepse s’ka për të ardhur ndonjëherë lajmi vettingu s’do bëhet kurrë prandaj dilni, s’ka për të ardhur ndonjëherë ftesa për qeveri teknike, prandaj kthehuni, s’ka për të ardhur ndonjëherë oferta për të shtyrë zgjedhjet prandaj zgjohuni.”

Rama tha se mazhoranca është e gatshme të takohet me opozitën edhe në çadrën e saj dhe është e gatshme të  votojmë çdo gjë që nuk bie ndesh me këshillat e ODHIR-it.

“Do të vazhdojmë punën deri në përmbushjen e afatit, më 18 qershor 2017.”

Rama foli në komunikimin e tij javor në “Facebook” një orë para konferencës së paralajmëruar për shtyp të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, i cili do të njoftojë nëse do të dekretojë apo jo katër ministrat e rinj të propozuar nga kryeministri Rama./tvklan.al