Rama-78

Kryeministri Edi Rama u shpreh se me nisjen e sesionit të ardhshëm parlamentar qeveria do të ketë gati drafin e saj për dekriminalizimin. Në një konferencë për shtyp para nisjes së pushimeve verore, kreu i qeverisë foli për këtë çështje, pasi u pyet nga gazetarët në lidhje me raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, në të cilin thuhej se një anëtar i parlamentit rezulton i dënuar për trafik të qenieve njerëzore.

Kryeministri përjashtoi çdo mundësi që në grupin parlamentar të PS- së të ketë persona që kanë probleme me ligjin dhe tha se në kohën e kandidimit, të gjithë deputetet kanë paraqitur dëshmi penaliteti, të cilat kanë rezultuar të bardha. Për të adresuar çështjen e pastrimit të politikës nga personat e dërguar në gjyq për krime, Rama tha se duhet një platformë e qartë dhe jo gjueti shtrigash, siç e quajti ai qëndrimin e opozitës për këtë çështje.

Kryeministri mohoi gjithashtu që në listat e kandidatëve për zgjedhjet vendore, mazhoranca të ketë pasur persona të inkriminuar.

Për sesionin parlamentar të vjeshtës, Kryeministri u shpreh se një tjetër prioritet i qeverisë është edhe reforma në drejtësi, të cilën tha se ja ka lënë në dorë ekspertëve.

Kreu i qeverisë hodhi poshtë zërat për ndryshime të kabinetit qeveritar me nisjen e sesionit të vjeshtës.

Një ndër sfidat e punës së tij në krye të qeverisë Kryeministri cilësoi edhe rimëkëmbjen e ekonomisë, për të cilën preferoi të mos ishte pesimist, por tha se ka sinjale domethënëse që flasin për një rritje të qëndrueshme.

Sipas tij ecja drejt kthesës pozitive për ekonominë nënkupton reforma të thella dhe zero tolerancë ndaj evazionit, për të cilin paralajmëroi nisjen e një aksioni në vjeshtë.

Sipas Kryeministrit Rama në 300 ditët e dyta të mandatit qeveria ka shënuar rezultate poztive në një sërë sektorësh si arsimi, rendi, bujqësia, sporti etj. Rama bëri publik vendimim më të fundit të qeverisë, i cili i jep 100 mijë lekë të reja shtesë të gjithë mjekëve që do të ushtrojnë detyrën e tyre larg vendit të banimit.

Tv Klan