Rama

Ndërkohë që Ministria e Trasportit pritet të japë një përgjigje për projektin kinez për rrugën e Arbrit, Kryeministri Rama gjatë takimit që ka zhvilluar me homologun e tij Kinez Li Keqiang ka kërkuar finalizimin e negociatave për fillimin e punimeve në këtë aks rrugor.

Pjesë e bisedimeve mes dy homologëve Rama e Keqiang ka qenë Parku Industrail në zonën ekonomike të Durrësit, për të cilën Kryeministri shqiptar ka kërkuar mbështetjen kineze dhe ka garancinë për përfshirjen e sa më shumë kompanive kineze për ngritjen e Parku por dhe mbështetjen e zhvillimit të infrastrukturës portuale në vendin tonë.

Kryeministri thuhet në njoftimin e qeverisë ka vlerësuar në takimin me Keqiang si moment të rëndësishëm të vizitës së tij në Kinë firmosjen trepalëshe të Marrëveshjes së Mirëkuptimit mes Ministrave të Transportit të Shqipërisë e të Malit të Zi dhe Presidentit të Pacific Construction, për ndërtimin e Korridorit të Kaltër. Në këtë marrëveshje do të përfshihen në vijim edhe Bosnja e Kroacia si palë të interesuara për projektin.

Në kuadër të Samitit Ekonomik Kinë – Europa Qendrore dhe Lindore, Kryeministri Edi Rama ishte pjesëmarrës në takimin që Presidenti i Republikës Popullore të Kinës, Xi Jinping zhvilloi me kryetarët e qeverive të vendeve pjesëmarrëse në Samit.

Tv Klan