Kryeministri Edi Rama ka uruar Presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, për fitoren në referendumin për ndryshimet kushtetuese ditën e diel.

Agjencia turke e lajmeve, “Anadolu Agency” tha se Erdogan, ka marrë mbrëmë telefonata urimi nga Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor dhe Kryeministri i Libanit, Saad Hariri.

Sipas informacioneve të marra nga burimet e Presidencës së Turqisë, thuhet se vazhdojnë të vijnë telefonata urimi pas rezultatit “po”, në referendumin për ndryshimet kushtetuese të zhvilluar më 16 prill.

Sipas rezultateve jozyrtare të publikuara nga Agjencia Shtetërore e Lajmeve “Anadolu Agency”, 51.41 për qind e turqve votuan pro ndryshimeve kushtetuese, ndërsa 48.59 për qind e votuesve votuan kundër.

Fitorja në referendumin e djeshëm i jep pushtet të madh Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

18 ndryshime kushtetuese do të konvertojnë sistemin qeverisës të Turqisë, nga parlamentar në presidencial. Si rrjedhim zyra e kryeministrit do të shfuqizohet dhe kompetencat ekzekutive e tij do të kalojnë në dorë të presidentit.

Ndryshimet e propozuara do t’i japin te drejtën presidentit te emëroje ministrat dhe zyrtarët e lartë të qeverisë si dhe gjysmën e anëtareve të organizmit më të lartë të drejtësisë në Turqi. Presidenti do të ketë gjithashtu të drejtë të shpallë dekrete dhe të deklaroje gjendje emergjence.