Rama-per-uefa

Vendim i padrejtë, por me asnjë ndikim politik nga ankimet apo pëlqimet e qeverive, e ka cilësuar Kryeministrin Rama vendimin e UEFA-s për ndeshjen e ndërprerë Serbi- Shqipëri.

Edi Rama – Kryeministër i Shqipërisë: “UEFA ka vendosur një shenjë të padrejtë barazimi mes agresionit racist e dhunës fizike dhe pamundësisë psikologjike e fizike për të vazhduar ndeshjen. UEFA ka vendosur një shenjë të padrejtë barazimi, mes palës pritëse që ka të gjithë përgjegjësinë për organizimin e mbarëvajtjen e ndeshjes dhe palës mike, e cila në këtë rast nuk çoi as tifozë në fushën e huaj. Duke dënuar Serbinë me vetëm dy ndeshje në shtëpi pa tifozë, UEFA nuk e ka prishur shenjën e barazimit në vendimin e saj, po vetëm i ka vendosur vetvetes një minus të madh përballë racizmit dhe dhunës.

Teksa inkurajon Federatën tonë të Futbollit të ndjekë të gjitha shkallët e apelimit për këtë vendim të padrejtë të UEFA-s, kreu i qeverisë shqiptare i quan qesharake dhe me mendësi ballkanike të gjithë ata që sipas tij e shikojnë me prapavijë politike vendimin e këtij shteti, siç e konsideroi ai bashkimin e Federatave Europiane të Futbollit.

Edi Rama – Kryeministër i Shqipërisë: “Askush nuk duhet ta marrë vendimin e UEFA-s si një komplot të Europës kundër Shqipërisë; si një shprehje të mungesës së respektit të Europës për Shqipërinë; si një rezultat të faktit që qeveria e Shqipërisë nuk i kërciti dhëmbët UEFA-s e me radhë. UEFA ka dhënë padyshim një vendim politik, por kjo s’ka lidhje me politikën e jashtme të Shqipërisë, as me politikën e jashtme të Bashkimit Europian; është thjesht budallallëk t’i mendosh këto. Kjo ka lidhje me politikën e brendshme të UEFA-s, e cila është një “shtet më vete”. Është e qartë se UEFA as që i dëgjon ankimet apo pëlqimet e qeverive”.

Gazetarja: A ia vlen të jesh kaq europian përballë propagandës serbe? Kam parasysh këtu deklaratat e Presidentit, i cili ofendoi një komb të tërë, apo edhe akuzat në vetë të parë për ju nga Kryeministri serb por edhe nga Ministri i Jashtëm.

Edi Rama – Kryeministër i Shqipërisë: “Fakti që dikush vjedh, vret, shan dhe lëndon nuk është arsye për t’iu kthyer me të njëjtat mjete. Dhe fakti që dikush sillet me ty si rrugaç, nuk është arsye që ti ti kthehesh si rrugaç. Secili përcakton me sjelljen dhe me gjuhën e vet, lartësinë e dinjitetit të vet. Mateni vetë tani se kush del më i gjatë tani në këtë mes”.

Tv Klan