Teksa opozita mblidhej në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”për të protestuar kryeministri Edi Rama nga Selenica e Vlorës ku nisi fushatën elektoralë për zgjedhjet e 18 qershorit adresoi në emër të demokratëve një ftesë për të mos bojkotuar procesin elektoral.

Pas protestës dhe çadrës së opozitës Rama tha se fshihet frika e kësaj të fundit nga Vetingu i gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar.

Mbështetësve socialistë u premtoi se zhbllokimi i Vetingut dhe reformës në drejtësi do të vijë nga parlamenti I dalë nga zgjedhjet e 18 qershorit.

Vetëm me heqjen e kësaj pengese  tha kreu i qeverisë vendi do të njohë një fazë të re zhvillimi.

Gjatë fjalës përpara socialistëve të Selenicës Rama tha se qeveria mbajti premtimin e bërë banorëve të zonës për lumin dhe rrugën e Vlorës.

Tv Klan

 

***Ora 11:20

Selenicë, 13 Maj 2017 – Teksa opozita pritet të mbajë protestën e saj në kryeqytet, Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që paraditen e kësaj të shtune të shkojë në Selenicë. Në një takim me elektoratin e Partisë Socialiste, Kryeministri Rama tha se shumë është bërë e më shumë do të bëhet. Rama theksoi se Vetting – u është skaneri që do i bëhet çdo gjyqtari e prokurori, është momenti i së vërtetës.

Ai u shpreh se është e dhimbshme të shohësh atë çadër aty në mes të vendit duke u bërë barrikadë të mos çliruar Reformën në Drejtësi.

“Ne e dinim shumë mirë se pengesa më e madhe ishte drejtësia e korruptuar dhe vendosëm që të ndryshonim Kushtetutën edhe pse nuk i kishim votat. Por me bindje vendosëm në program që sot i ka ardhur koha drejtësisë dhe njeriut të zakonshëm që të mos trajtohet si skllav. Ia dolëm të bëjmë pjesën e parë, të ndryshojmë Kushtetutën. Ia dolëm të kalojmë bazën e ligjeve më të rëndësishme. Ia dolëm të vendosim në bazë Vetting-un. Vettingu është skaneri që do i bëhet çdo gjyqtari e prokurori. Vetting-u është momenti i së vërtetës”,

tha Rama.

Kryeministri Rama iu drejtua qytetarëve të Selenicës se me bindjet tona dhe tuajën ne do të vazhdomë të luftojmë për papunësinë dhe mirëqenien. Duke iu shtuar se

“E ardhmja e Saliut është mbrapa por e ardhmja e fëmijëve të tyre është përpara dhe ata këtë duhet të shohin, të ardhmen e fëmijëve. 18 Qershori do të bëj që ne të anëtarësohemi në Bashkimin Europian, demokratët e zakonshëm duhet ta lënë Saliun atje të mbyllet dhe të vazhdojnë me ne për punë e mirëqenie. Më vjen shumë mirë mirë që ne vijmë këtu dhe pas 4 vitesh rruga e Lumit të Vlorës nuk është më një ëndërr por është një rrugë e kalueshme.”

Rama e mbylli fjalimin e tij duke i siguruar qytetarëve se nuk keni parë gjë akoma sepse shumë më tepër duhet bërë dhe shumë më tepër do të bëjmë, për Vlorën, për Selenicën, për Himarën, shumë më tepër do të bëjmë për jugun, për të gjithë Shqipërinë./tvklan.al