Në një prononcim pas votimit për komisionet e Vetting -ut, Kryeministri Edi Rama jashtë parlamentit tha ishte shumë i emocionuar që Vetting -u tashmë u zhbllokua dhe se shqiptarët do të shikojnë rezultatet e shumëpritura.

“Dua t’ju them se e kam pritur shumë këtë moment, që të dilja nga dera e parlamentit dhe t’ju thoja shqiptarëve që Vetting -u do të fillojë, që gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar i kanë ditët e numëruara dhe që tanimë Reforma në Drejtësi nuk ndalet. Është një moment shumë emocionues, kur mund të thuash që edhe politika është një forcë për mirë. Natyrisht kur politika mendon për njerëzit.”

Rama e konsideroi votimin e Vetting -ut një moment fantastik në jetën e tij politike.

“Sot kemi Vetting -un. Është një moment vërtetë fantastik në jetën time politike, por sigurisht që pas të sotmes fillon një tjetër betejë. Por me të njëjtën pasion dhe kokëfortësi që punuam për Vetting -un do të punojmë për ta futur Shqipërinë në Bashkimin Europian

.”

Më tej, Kryeministri tha se në zgjedhjet e 25 Qershorit, Partia Socialiste do të luftojë për të marrë 71 mandate, për të vijuar me reformat.

“Ajo që nuk e kam diskutuar asnjëherë është se Partia Socialiste është e para. Sigurisht që ne do të bëjmë një betejë shumë të fortë për të marrë 71 mandate që të sigurojmë autonomi të plotë në timonin e reformave.”

Kryeministri Rama siguroi që shqiptarët do të shikojnë rezultatet e shumëpritura në shumë vite për të marrë hak për të gjitha padrejtësisë dhe kur të hyjnë në gjykata nga shtatori i ardhshëm do të jenë shumë më të vlerësuar.

E gjitha kjo, tha Rama, është pjesë e angazhimit për të çelur negociatat me Bashkimin Evorpian.

Kanë ndodhur gjëra fantastike në këto ditë dhe kjo është prova që ne shumë shpesh kemi qenë në gjendje të bëjmë të mundur diçka të pamundur.

/tvklan.al