Falë financimit të një projekti zviceran shkolla profesionale “Pavarësia” në Vlorë është bërë zgjedhja e parë e nxënëseve që mbarojnë 9-vjeçaren, duke e dyfishuar numrin e nxënësve në 3 vitet e fundit deri 700.

Kryeministri Edi Rama, i cili vizitoi shkollën u informua nga drejtori i shkollës se kërkesat e bizneseve për krah punë të kualifikuar janë shumë të mëdha. Sipas tij të gjithë nxënësit që përfundojnë studimet pranë kësaj shkolle profesionale e kanë të garantuar vendin e punës.

Kemi një listë me rreth 70 kompani e biznese, të cilat bashkëpunojnë çdo ditë me shkollat. Vetëm ne kemi një problem që është viti i dytë radhazi që ne nuk mundemi t’i plotësojmë me atë numër që kemi, megjithëse jemi shumë, nuk mund t’i plotësojmë kërkesat. Sot janë punësuar 3 nxënës që do mbarojnë shkollën pas një muaji, sepse nga ata që kanë mbaruar vjet, nuk kemi më.”

“Sistemi i bashkëpunimit me ndërmarrjet, i futjes së ndërmarrjeve në shkolla dhe i lidhjes së nxënësve me vendin e mundshëm të punës në ndërmarrje, është çelësi i gjithë ndryshimit. Tani problemi është të rrisim kapacitetin, edhe këtu, por dhe në gjithë qytetet e tjera. Do ketë gjithmonë e më shumë kërkesa, sepse kanë filluar ta kuptojnë që kjo fushë do të ketë punësim real për shumë njerëz dhe prindërit sidomos kanë filluar të bëhen shumë të ndjeshëm”

,tha Rama.

Në bashkëpunim me zyrat e punës pranë kësaj shkolle trajnohen dhe personat që duan të dalin nga skema e ndihmës ekonomike duke marre një profesion.

Këtu kanë filluar të ofrohen kurse dhe të përfshihen dhe punëkërkues nga qendra e formimit profesional që do të trajnohen, duke mos pasur klasa ekskluzivisht vetëm për ata që janë të papunë, por të jenë klasa të kombinuara, me nxënës, me të rinj, me të gjitha moshat që do t’u ofrohen kurse pasdite këtu në shkollë.

 700 nxënësit e shkollës “Pavarësia” janë të ndarë ne 5 profile, elektroteknikë, mekanikë, shërbime mjetesh transporti, teknologji informacioni dhe komunikimi.

Tv Klan