Kryeministri Rama ka bërë publike objektivat e 100 ditëve të para të qeverisë, duke renditur 10 prioritetet për të cilat ka  kërkuar edhe mendimin e qytetarëve, të cilët i ka ftuar të jenë pjesë e platformës për bashkëqeverisje.

Sipas tij në këto 100 ditë do të nisë procesi i llogaridhënies së gjithë drejtuesve të agjencive, inspektoriateve, drejtorive e zyrave të shtetit, në takime publike dhe në prani të anëtarëve të qeverisë.

Do të fillojë lufta kundër shpërdorimit të ujit pijshëm, do të çelet faza e re e luftës kundër informalitetit në ekonomi, do të nisë pastrimi rrënjësor i akseve kombëtare dhe mbyllja e hyrjeve të paligjshme në rrugët kryesore

Qeveria sipas tij do të t’i  shpallë  luftë si asnjëherë tjetër ndotjes së mjedisit dhe do të organizojë një aksion kombëtar pastrimi në çdo qytet e fshat të Shqipërisë

Një tjetër betejë do të jetë ajo për sigurinë ushqimore si dhe hapja e fushatës së re për sigurinë rrugore për dhe uljen e mëtejshme të numrit të aksidenteve në rrugë

Në çdo qark sipas kryeministrit do të organizohen dëgjesat publike për buxhetin e vitit 2018, si edhe për riorganizimin e administratës shtetërore, shërbimeve ndaj publikut në çdo bashki dhe projektet e vitit në vijim në rang vendi e qarku

100 ditëshi i parë sipas kreut të qeverisë do të mbyllet  me fitoren e pakontestueshme të Policisë së Shtetit  kundër drogës dhe shpalljen e fundit të historisë së shëmtuar të kultivimit masiv dhe të paligjshëm të kanabisit në Shqipëri.

Kritikëve për platformën e bashkëqeverisjes me qytetarët, Rama u dha përgjigje nga Lezha, ku tha se prioritet do t’i jepet bujqësisë dhe infrastrukturës.

“Shumë kush e quajnë këtë gjë ca të Enver Hoxhës , Maocedunit, por në fakt ajo që kuptojnë ata është vendosja e shtetit në pozitën që të mos i përcjelli njerëzit nga dera në derë.

Të shikosh që shumë kush paguhet për të bërë një punë dhe nuk është fare aty, por na duhet ta bëjmë bashkërisht këtë spastrim se deputetët po nuk patën informim as nuk marrin vesh që ndodh jo më  ta bë jnë.

..”

Kreu i qeverisë premtoi se qasja në sektorin bujqësor do të jetë tërësisht e re, por së pari do të nis me punësimin e eksperteve të fushës.

“Për të bërë më shumë në sektorin e bujqësisë ne do të thërrasim ekspertët, nuk mund të trajtohen më strukturat e bujqësisë nga lloj-lloj njerëzish qe nuk janë ekspert, drejtor bujqësie masazhator.. zotëria apo zonja mund të jetë masazhator perfekt i bën masazh perfekt partisë, por jo të drejtojë bujqësinë …”.

Përmirësimi i infrastrukturës rrugore për kreun e qeverisë do të ndikojë ne zhvillimin ekonomik.

“Ajo që ne duam të bëjmë të fillojmë punën për aksin Milot-Lezhë për ta shmangur këtë xhepin fallco dhe për të lidhur Shëngjinin me Velipojën dhe për të dalë pastaj në Mal të Zi. Kjo është për t’i dhënë një impuls të ri zhvillimit ekonomik.

Duke e konsideruar të një rëndësie të veçantë çështjen e ujit te pijshëm , kreu i qeveris tha se nuk do të lejohet shpërdorimi i ujit , ndërsa duhet ndryshuar mënyra e administrimit dhe investimit. TV KLAN

Postimi në Facebook i Kryeministrit Edi Rama:

SI I MENDONI 100 DITET E PARA?

Do t’i isha mirënjohës secilit dhe secilës prej jush që do të jepte opinionin e vet, mbi disa ide për operacionet që po përgatiten për 100 ditët para të qeverisë së re, si më poshtë:

1. Hapen regjistrimet e anëtarëve të koalicionit të madh “Për Shqipërinë që Duam”, në Platformën online të Bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi dhe nis lufta e gjithanshme, kundër parazitëve e grabitqarëve në çdo zyrë të shtetit

2. Nis procesi i llogaridhënies të gjithë drejtuesve të agjencive, inspektoriateve, drejtorive e zyrave të shtetit, në takime publike dhe në prani të anëtarëve të qeverisë së re e të skuadrave të deputetëve të çdo qarku

3. Fillon lufta kundër shpërdorimit të ujit pijshëm, prerja e lidhjeve të paligjshme, prishja e lavazheve pa leje dhe ndëshkimi i abuzuesve me këtë pasuri të çmuar kombëtare

4. Çelet faza e re e luftës kundër informalitetit në biznes me përshkallëzimin e fuqishëm të presionit ligjor, mbi çdo subjekt të madh e të vogël që nuk operon përmes kuponit tatimor

5. Nis pastrimi rrënjësor i akseve kombëtare nga plehrat, mallrat, tregjet, varrezat e makinave, ferrat, etj., si edhe fillon mbyllja hyrjeve të paligjshme apo të rrezikshme në rrugën kryesore

6. Shpallet një luftë si asnjëherë tjetër kundër ndotjes së mjedisit, hedhjes së mbeturinave jashtë vendeve të përcaktuara dhe organizohet e zhvillohet një aksion kombëtar pastrimi në çdo qytet, fshat e metër katror të Shqipërisë

7. Fillon beteja e gjatë për sigurinë ushqimore në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët e angazhuar për Shqipërinë që duam, për të vënë përpara përgjegjësisë çdo strukturë shtetërore, kompani furnizimi apo subjekt tregtar, që cënon sigurinë e konsumatorit

8. Hapet fushata e re e sigurisë rrugore për rritjen e ndërgjegjësimit të drejtuesve të automjeteve dhe uljen e mëtejshme të numrit të aksidenteve në rrugë

9. Organizohen në çdo qark dëgjesat publike për buxhetin e vitit 2018, si edhe për riorganizimin e administratës shtetërore, shërbimeve ndaj publikut në çdo bashki dhe projektet e vitit në vijim në rang vendi e qarku

10. Mbyllet me fitoren e pakontestueshme të Policisë së Shtetit lufta e këtij viti dhe shpallet fundi i historisë së shëmtuar të kultivimit masiv dhe të paligjshëm të kanabisit në Shqipëri

Siç kuptohet një pjesë e këtyre operacioneve, shkojnë përtej kufirit të 100 ditëve, por më duket se nisja që ditën e parë të mandatit të ri është kusht për suksesin e tyre. Si mendoni?

Çdo kritikë për çka mund të jetë e tepërt apo mund të mungojë në këtë grumbull idesh paraprake, është e mirëpritur.

/tvklan.al