Trajneri i Egnatias tha se ekipi ka gjetur stilin e duhur të lojës, ndërsa tekniku Brdaric kërkon që Vllaznia të përmirësohet

Trajneri i Egnatias, Zekerija Ramadani, ishte mjaft i këanqur me pikën e marrë kundër Vllaznisë në Shkodër. Tekniku shtoi se ekipi kishte një mundësi të mirë për të shënuar golin e dytë, por nuk e shfrytëzoi. Por sipas tij, kjo ndeshje i shërbeu ekipit për t’u qartësuar për stilin e lojës që duhet të aplikojë në fushë.

“Mendoj që u mbrojtëm mirë dhe sulmi jonë duhet të jetë shumë pak pasime dhe kundërsulme, që arritëm të shënojmë një gol. Patëm mundësi ta dyfishojmë rezultatin, ndoshta do ishte edhe ajo një ndihmë e madhe, mirëpo nuk u realizua. Si çdo skuadër, kur humb rastin, ndëshkohesh. Edhe ne u ndëshkuam, bëmë shumë mirë që e mbajtëm këtë rezultat sepse përballë Vllaznisë në Shkodër, një pikë mund të jetë shumë e madhe”.

Ndërsa tekniku i Vllaznisë Tomas Brdaric përgëzoi rrogoshinasit për barazimin e arritur. Ai tha se kuqeblutë nuk bënë një paraqitje të mirë dhe humbën një mundësi për t’iu afruar edhe më shumë kreut.

“Patëm raste në këtë takim, por nuk ishim efikasë. Kjo është diçka që duhet përmirësuar. Por nuk është çdo gjë keq në këtë ekip. Titulli? Pikë së pari duhet që të qëndrojmë me këmbë në tokë. Jemi në një situatë të vështirë, pasi pritshmëritë janë të larta. Vllaznia është një ekip që mund të konkurrojë ndaj të gjitha rivaleve të tjera. Duhet që të japim më të mirën që të fitojmë dhe 5% më pak nuk mjafton”.

Tekniku i kuqebluve shtoi se bashkë me grupin duhet që të ulen e të flasin për të evidentuar problemet, ndërsa e bëmë të qartë se nuk e ka mendjen te përforcimet, por të stërvisë fubollistët që ka në dispozicion.

Klan News