Buxhuku1Konfederata e Industrive shpreh shqetësimin e saj për uljen me 24% të investimeve të huaja në Shqipëri për periudhën Janar – Shtator 2014-të. Bazuar në të dhënat e fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë, kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, thotë se shkaqet kryesore të përgjysmimit të investimeve të huaja të drejtpërdrejta në ekonominë shqiptare janë pasojat e zbatimit të paketës fiskale, që ka hyrë në fuqi në fillimin e vitit 2014.

Sipas Konfindustrisë, masa me ndikimin më të prekshëm negativ në paketën fiskale 2014 për investimet e huaja, është rritja e tatim – fitimit për biznesin në masën 50%, duke arritur në nivelin e 15%.

“Shënojmë, se të gjitha vendet e tjera të rajonit, konkurente të Shqipërisë për tërheqjen e investimeve të huaja tatimi – fitimi si pjesë e politikës së taksimit të sheshtë është në intervalin 9%-10%. Paqëndrueshmëria e theksuar e politikave fiskale dhe ekonomike vlerësohet gjithashtu si shkak i rëndësishëm i mosafrimit të investitorëve të huaj dhe të vendit në ekonominë shqiptare”,- thuhet në deklaratë.

Nisur nga kjo situatë, për të bërë të mundur tërheqjen e investitorëve të huaj dhe rritjes së fuqisë konkuruese të ekonomisë shqiptare me vendet e rajonit, Konfindustria i ka kërkuar zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë që në paketën fiskale  2015-të të rivendosë taksën  e sheshtë prej maksimumi 10% për të gjitha bizneset, që punojnë në kushtet e tregjeve të hapura dhe me konkurencë të lirë dhe nuk përfitojnë nga privilegjet qeveritare të tregjeve të mbyllura dhe kushteve monopolistike.

Sipas statistikave të bilancit të pagesave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, investimet e huaja kanë shfaqur një tendencë negative përgjatë të tre tremujorëve të parë të këtij viti.

Tv Klan