Departamenti Amerikan i Shtetit botoi sot raportin vjetor për gjendjen e lirive fetare në botë, për vitin 2015.  Në kapitullin për Shqipërinë, shteti është neutral ndaj çështjeve fetare, njeh barazinë dhe pavarësinë e grupeve fetare, garanton lirinë e fesë dhe ndalon diskriminimin fetar.

Qeveria ka marrëveshje me 5 grupe fetare dhe shteti ndihmon me fonde 4 prej tyre. Grupet fetare janë ankuar se është bërë pak përparim për zgjidhjen e rreth 1 mijë pretendimeve të tyre për kthim pronash të sekuestruara gjatë regjimit komunist.

Kisha autoqefale ortodokse shprehu pakënaqësinë e saj ndaj shkatërrimit nga autoritetet lokale të një strukture që ajo thoshte se ishte kishë.

Përmes Këshillit Ndërfetar, thuhet në raport, udhëheqësit e komuniteteve suni, ortodokse, katolike, protestante dhe bektashinj takohen për të diskutuar shqetësimet e tyre të përbashkëta.

Në kapitullin për Kosovën, raporti thekson se ligjet nuk lejojnë regjistrimin e grupeve fetare si person juridik, duke u krijuar kështu pengesa funksionimit të tyre.

Qeveria, thuhet më tej, mori masa të miratonte një projekt-ligj që do të lejonte grupet fetare me mbi 50 vetë që të regjistrohen. Raporti vë në dukje një sërë incidentesh gjatë vitit të kaluar, si ai kur protestuesit shqiptarë, me sa duket të organizuar nga politikanët, qëlluan me gurë dhe u përpoqën të ndalonin pelegrinët ortodoksë serbë të ndiqnin meshën e Krishtlindjeve në Gjakovë.

Qeveria thuhet në raport ka hartuar një strategji për t’iu kundërvënë ekstremizmit të dhunshëm që përfshin edhe bashkëpunimin me komunitetit mysliman

./tvklan.al