tirana_1

Raporti i fundit i publikuar nga revista e njohur “Forbes” për të bërë biznes, e ka pozicionuar Shqipërinë në vendin e 69 mes 144 shteteve.

Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria renditet e parafundit, duke lenë pas vetëm Bosnjën, ndërsa vendin e parë për lehtësitë e të bërit biznes, e mban Maqedonia.

Ajo që e bën Shqipërinë të jetë ndër të fundit nga vendet në rajon, për të bërë biznes, sipas raportit të “Forbes”, janë sistemi i komplikuar i taksave dhe kërkesave për licensa, sistemi i dobët gjyqësor, korrupsionin, zbatimi i dobët i kontratave dhe çështjeve të pronësisë dhe infrastrutura e papërshtatshme.

Këto tregues me performancë jo të mirë, sipas “Forbes”, e bëjnë të vështirë tërheqjen e investimeve të huaja.

Për korrupsionin, Shqipëria renditet në vendin e 99, për barrën e taksave në vendin  109, e 118 – ta për inovacion dhe e 114 – ta për të drejtat e pronësisë. Këto janë treguesit ku vendi ynë ka ecuri më negative.

Në vlerësimin e bërë bie në sy treguesi i barrierave për biznesin, i cili shënohet me shigjetë të kuqe dhe sipas shpjegimit nënkupton përkeqësim të dukshëm.

Raporti thotë se Shqipëria do të vazhdojë të përballet me sfida nga rritja e borxhit publik, që ka kaluar limitin e dikurshëm statutor prej 60% të PBB -së në 2013-n dhe arriti 72% në 2014.

Tv Klan