Ekonomia shqiptare pritet të shënojë një rritje nga 3.5% që është aktualisht në 3.7% vitin e ardhshëm. Vlerësimi pozitiv vjen në raportin më të fundit të agjencisë së vlerësimit “Standart and Poor’s” ku edhe për 2017 kjo agjenci mban të pandryshuar në B+me perspektivë të qëndrueshme borxhin Sovran të Shqipërisë. Sipas raportit deri në 2020, borxhi do të bjerë në 62% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.  S&P vlerëson se, ekonomia shqiptare do të vijojë një rritje të fortë, duke marrë shtysë nga kërkesa e brendshme, konsumi dhe investimet private.

Pritshmëritë dhe vlerësimi i agjencisë burojnë nga besimi se qeveria do të vijojë me konsolidimin fiskal, veçanërisht në drejtim të mbledhjes së të ardhurave. Sa i përket reformave strukturore, që vlerësohen si çelësi i suksesit të ekonomisë shqiptare, agjencia thekson se, pret që rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme t’i lejojë qeverisë që të vazhdojë përpara me këto reforma. Edhe në drejtim të remitancave agjencia projekton një nivel të qëndrueshëm, ndonëse me rënie të lehtë të tyre gjatë viteve në vijim. Ndërsa në  sektorin bankar, në raport theksohet se  kapitali dhe likuiditeti mbeten bindshëm mbi minimumin e kërkuar.

Sakaq edhe gjigandi tjetër I vlerësimeve, Moody`s ka ruajtur të pandryshuar vlerësimin për Shqipërinë, në B1 me perspektivë të qëndrueshme. Sikundër në raportin e “Standart and Poor’s” edhe në atë të Moody’s-it  kryefjalë mbetet konsolidimi fiskal dhe reformat. “Vendimi për të konfirmuar vlerësimin për Shqipërinë dhe ruajtjen e një perspektive të qëndrueshme vjen si pasojë e progresit në konsolidimin fiskal dhe reformat strukturore dhe institucionale”, thuhet në raport. Ndryshe nga Standart and Poor’s, agjencia Moody’s parashikon për 2017 një rritje ekonomike në 3.6%.

Agjencia vlerëson reformat që ka ndërmarrë qeveria si pasojë e përpjekjeve për t`u anëtarësuar në Bashkimin Europian, si: lufta kundër ekonomisë informale, lufta ndaj korrupsionit, reforma në drejtësi, etj. Edhe ligji i buxhetit organik vlerësohet me tone mjaft pozitive. Pavarësisht vlerësimeve Moody`s flet edhe për një forcë të dobët ekonomike, Prodhim të Brendshëm Bruto të ulët për frymë dhe një nivel mjaft të ulët të diversifikimit të ekonomisë. Raporti thekson gjithashtu se ekonomia shqiptare mbetet e ekspozuar ndaj rreziqeve të jashtme. TV KLAN