Jo vetëm pajisjet matëse që bëjnë kolaudimin e mjeteve nga konçesionari që ka eksluzivitetin e këtij Kontrollit Teknik të makinave në Shqipëri janë të pabesueshme, por në pikëpyetje vendoset edhe aftësia e stafit që është punësuar për të lëshuar çertifikatën teknike të mjetit.

Grupi i inspektimit i ngritur në fund të muajit Dhjetor nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka zbuluar se në të gjitha Qendrat e Kontrollit Teknik që janë monitoruar mungojnë dosjet e personelit të punësuar nga kompania, duke përfshirë këtu edhe mungesën e dokumentacionit që lidhet me pozicionin e punës, kualifikimin e stafit dhe trajnimet e tij.

Për këtë arsye Ministria i ka kërkuar kompanisë që të verë në dispozicion listën e të gjithë punonëjsve dhe pozicionin që ata kanë, duke bashkangjitur diplomat dhe kualifikimet.

Po ashtu grupi i kontrollit konstatoi se në kundërshtim me kontratën, kompania kishte në pozicione pune vetëm inspektorë dhe jo kryeinspektorë të cilët sipas marrëveshjes duhet të mbikëqyrin procesin e punës.

Inspektimi gjeti edhe një ambient të papërshtatshëm për ruajtjen e dokumentacionit në këto qendra, jashtë sistemeve të sigurisë nga fatkeqësitë, përmbytjet apo zjarret duke vendosur në rrezik vlerën e dokumentave që lëshon kompania.

Të njëjtët elementë nuk zbatoheshin as për sigurinë e personelit në punë të cilët shpesh herë, thotë raporti, punonin me orare të zgjatura për shkak të radhës së automjeteve, ndërsa vetë firma nuk ka vendosur qëndrat lëvizëse të kontrollit për të ulur intensitetin e makinave.

Tv Klan