Një ditë më parë, emisioni “STOP” transmetoi pamjet e dhunës fizike dhe verbale që polici i Institutit të Fizikës Bërthamore ushtroi ndaj grupit të xhirimit në detyrë. Mbrëmjen e së enjtes, efektivi me iniciale P. N u pezullua nga detyra dhe ndaj tij nisi procedimi disiplinor për shkelje të rëndë.

Gazetarja dhe operatori i emisionit bënë sot zyrtarisht kallëzim në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, në mënyrë që dhunuesi me uniformë i medias të përballet me drejtësinë.

Në të njëjtën kohë, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Lidhja e Gazetarëve Shqiptarë dhe Shoqata e Mediave Elektronike kanë dënuar aktin dhe kanë kërkuar që përgjegjësit të vihen para drejtësisë.

Emisioni “STOP” ritransmeton pamjet e mbrëmshme të dhunës fizike ndaj gazetares investigative Rudina, nga punonjësi i policisë me inicialet P.N., në ambientet e Institutit të Fizikës Bërthamore

.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, pas transmetimit të këtyre pamjeve, mbrëmjen e djeshme ka urdhëruar pezullimin e efektivit të policisë në Komisariatin Numër 4. Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako ka urdhëruar që Drejtoria e Standardeve Profesionale të fillojë menjëherë procedimin disiplinor ndaj punonjësit të policisë për shkelje të rëndë.

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë ka bërë një deklaratë solidarizimi, ku thuhet se kjo shoqatë dënon me forcë dhunën e ushtruar ndaj ekipit të emisionit investigativ “STOP” në Televizionin Klan nga një efektiv policie.

“Sjellja e dhunshme dhe dhuna fizike ishin një akt flagrant i një sjellje jo njerëzore, e ilustruar me pamje, i një punonjësi me uniformë policie ndaj gazetarëve, që po bënin detyrën për emisionin investigativ, e që kishin të gjitha shenjat identifikuese të profesionit të tyre. Duke dënuar këtë akt, Shoqata e Gazetarëve Profesiontë të Shqipërisë nxit autoritetet të reagojnë me forcën e ligjit ndaj kësaj sjellje të papranueshme ndaj gazetarëve, si një sinjal i qartë se liria e medias për të përmbushur detyrën e saj është një e drejtë e paprekshme”.  

Gjithashtu ka reaguar edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë nëpërmjet një statusi në Facebook-un e tyre, duke thënë se e konsiderojnë të papranueshme dhunën e ushtruar mbi gazetaren e emisionit investigativ “STOP”, nga një punonjës i Policisë së Shtetit, në mjedisin hyrës të Institutit të Fizikës Bërthamore.

“Sjellja e punonjësit të Policisë, komunikimi dhe gjithë sekuenca e dialogut me reporteren flasin qartë për një demonstrim dhune dhe pengimi në misionin për komunikim me përfaqësuesit e institucionit. UGSH shpreh solideratitetin me kolegen këmbëngulëse dhe kërkon nga autoritetet e larta të Policisë së Shtetit që përfaqësuesve të tillë me uniformë t’u tregojnë vendin, duke i njohur me detyrimin ligjor dhe atë etik. Ky rast nxjerr në pah edhe realitetin e pamundësisë për informim të lirë pranë institucioneve publike në vend. UGSH konfirmon mbështetjen dhe solidaritetin me kolegen e emisionit “STOP”.

Lidhja e Gazetarëve Shqiptarë konfirmon të njëjtën mbështetje ndaj grupit të xhirimit të emisionit “STOP”, që u dhunua teksa kryente detyrën dhe u kërkon zyrtarëve të ndërhyjnë me vendosmëri ndaj këtij akti të shëmtuar. Vënien para përgjegjësisë dhe moscënimin e gazetarëve në detyrë e ka shprehur edhe Shoqata e Mediave Elektronike Shqiptare, duke kërkuar që të tilla akte të mos përsëriten.

Gazetarja e emisionit “STOP” rikthehet në Insitucionin e Fizikës Bërthamore ku u dhunua, për të vënë në dukje faktin se mungon sinjalistika për ndalimin e hyrjes ose ndalimin e filmimit në këtë institucion dhe shfaq mënyrën se si kanë hyrë në këto ambiente.  

Gazetarja dhe operatori denoncuan në Drejtorinë e Policisë së Tiranës punonjësin e policisë, i cili ushtroi dhunë fizike dhe verbale ndaj grupit të xhirimit të emisionit “STOP”, kur ishin duke kryer punën e tyre. Kjo çështje tashmë do të shkojë në Prokurori./tvklan.al