Kisha e Labovës së Kryqit, e njohur për bukurinë dhe vlerat e saj është një ndër destinacionet që turistët e huaj zgjedhin kur vijnë në vendin tonë.

Por një vizitë e një grupi turistësh italianë, mes të cilëve edhe 3 priftërinj katolikë ka sjellë reagimin e ashpër të Kishës Ortodokse Shqiptare.

“Protestojmë për këtë shkelje të ligjit. Shteti mund të marrë në përdorim një objekt të kultit vetëm për nevoja e interesa madhore dhe vetëm pasi të ketë marrë paraprakisht pëlqimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Iniciativa të tilla të papërgjegjshme janë shkelje e hapur e lirisë fetare dhe cenojnë bashkëjetesën e komuniteteve fetare”.

Kisha Ortodokse theksoi se e pranishme ishte edhe drejtorja e Institutit të Monumenteve të Kulturës Arta Dollani. Instituti sqaroi një ditë më pas situatën.

Dje u organizua një inspektim i punimeve restauruese në kishën e Labovës së Kryqit, me praninë e drejtores së këtij instituti dhe ekspertëve restauratorë. Gjatë këtij inspektimi, në oborrin e kishës u vu re se po zhvillohej një meshë lutjesh lehtësimi për një grup personash me probleme të ndryshme shëndetësore dhe turistësh italianë. Vizita e turistëve dhe inspektimi i inxhinierëve ka qenë thjesht një rastësi. Ministria e Kulturës nuk ka pasur asnjë dijeni dhe nuk ka dhënë leje për zhvillimin e një aktiviteti të tillë.”

Ministria e Kulturës thekson se kjo kishë si mjaft objekte të tjera të trashëgimisë kulturore janë destinacion i turistëve, ndërsa shpreh keqardhjen për keqkuptimin e panevojshëm nga Kisha Ortodokse.

Burimi: Klan Plus