Turqia duket nervoze pasi kryeministri grek, Alexis Tsipras, u prit në një takim në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti Amerikan, Donald Trump.

Të paktën ky është shpjegimi që gazeta greke “Protothema” ka për faktin se vetëm një ditë pas takimit dhe fjalëve të ngrohta të Trumpit, avionët turq kanë dhunuar hapësirën ajrore greke 24 herë.

Media greke e quan të parashikueshëm reagimin e Ankarasë zyrtare pas takimit që kaloi në një atmosferë të ngrohtë: Ata dërguan 4 avionë luftarakë F16 dhe dy helikopterë të cilët dhunuan hapësirën ajrore greke.

Avionët turq u interceptuan nga avionët grekë, teksa në një rast pati ndjekje të afërt mes tyre.

Takimi i kryeministrit grek me Presidentin Trump vjen në një kohë që marrëdhëniet SHBA-Turqi janë në nivelin më të ulët historik; javën e shkuar Uashingtoni urdhëroi ndalimin e lëshimit të vizave për të gjithë shtetasit turq pasi një turk që punonte në konsullatën amerikane në Stamboll u arrestua për lidhjet e tij të dyshuara me Lëvizjen Gylen, të cilën Erdogani e akuzon si orkestruese të grushtit të dështuar të shtetit të 16 korrikut 2016.

 Erdogan po ashtu akuzon Uashingtonin për armatosjen e grupeve terroriste kurde në Siri dhe Irak sidhe për mos-ekstradimin e Fetullah Gylenit, armikut të tij të përbetuar, të cilin e akuzon si kokë të organizatës terroriste FETO. /tvklan.al