140 pjesëmarrës të mitingut që hapi fushatën e Partisë Demokratike në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, mes tyre edhe kryetari Lulzim Basha, iu drejtuan Urgjencës së QSUT-së pak orë pas mbylljes së tubimit.

Me simptoma të një helmimi njeri pas tjetrit, deri në orët e para të mëngjesit, ata u trajtuan për skuqje dhe dhimbje të syve, marramendje, të vjella, turbullim shikimi, skuqje në zonat e fytyrës dhe qafës dhe marrje fryme. Me të njëjtat simptoma janë paraqitur edhe 5 raste në spitalin e Durrësit dhe 4 në atë të Elbasanit.

Nën kujdesin e mjekëve në pavionin e okulistikës vazhdojnë të qëndrojnë 14 pacientë, ndërsa të tjerët, mes të cilëve edhe një efektiv i gardës janë larguar me një recetë në dorë.

Pacientet pretendojnë se ishin në radhët e para, ngjitur me podiumin ku mbajti fjalimin kryetari Lulzim Basha.

Të njëjtën problematike shëndetësore shfaqi edhe kreu i PD-së në mëngjes. Pasi trajtimit nga mjekët për disa orë në spital, Lulzim Basha, anuloi takimet elektorale në Divjakë, Lushnjë dhe Roskovec. Në një dalje për mediat Basha bëri apel për hetim të plotë të çështjes.

“ Kjo nuk ishte tullumbace. Por unë mund t’ju them se është detyra e autoriteteve shtetërore të vendosin para përgjegjësisë autorët, kushdo qofshin. Nëse nuk ndodh, kjo është një tjetër provë e gjunjëzimit total të shtetit. Ne do të bëjmë analizën tonë. Ne nuk do të ndalim”.

Një reagim ka pasur edhe Partia Socialiste që i bën thirrje selisë blu të përqendrohet te çështjet e vërteta të fushatës dhe të mos merret me teori konspiracioni sepse kjo tregon se në çfarë gjendje të çoroditur është Partia Demokratike.

Vetë Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare ka vënë në dispozicion të Institutit të Mjekësisë Ligjore gjithë dokumentacionin e kërkuar për të sqaruar shkaqet e këtyre simptomave.

Ndërsa Prokuroria e Tiranës bashkë me policinë dhe një grup ekspertesh te gardës se republikës dhe forcave te armatosura kanë nisur hetimet për zbardhen e ndodhur gjatë mitingut të Partisë Demokratike.

Ne bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ekspertë kriminalistë të policisë dhe kimistë të ushtrisë me mjete të posaçme kryen këqyrjen e zonës, veçanërisht asaj pranë kryeministrisë, ku dyshohet se mund të jetë hedhur një lendë helmuese.

Veprimet u ndoqën edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako dhe i Tiranës Ardi Veliu.

Hetuesit kane sekuestruar edhe kamerat e sigurisë të kryeministrisë dhe disa institucioneve përreth.

Hetuesit kane dyshime se shkak mund të jetë bërë një lende që kishin tullumbacet që u hodhën gjatë mitingut, por Partia Demokratike reagoi duke thënë se ato  nuk plasën dhe u larguan në ajër.

/ TV KLAN

 ***

Pas njoftimit të policisë, rreth 76 aktivistë të PD që kanë marrë pjesë pasditen e djeshme në mitingun e hapjes së fushatës elektorale i janë drejtuar në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë. Për këtë, QSUT ka reaguar në një njoftim për shtyp:

Njoftim i QSUT:

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë, njofton se në Urgjencën e Spitalit Francez nga orët e para të mëngjesit të ditës së dielë deri në orën 11.00, janë paraqitur 76 qytetarë të cilët paraqisnin ankesat në vijim: skuqje të fytyrës dhe syve, lotim, kruarje të syve dhe rrufë.

Të gjithë qytetarët referojnë se gjatë mbrëmjes së djeshme kanë marrë pjesë në aktivitetin e Partisë Demokratike.

Drejtoria e QSUT në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe stafin mjekësor të Shërbimeve të QSUT, morën menjëherë masat për trajtimin e këtyre pacientëve.

Aktualisht, 5 pacientë po mbahen në observim në pavionin e Okulistikës nga një ekip multidisiplinar mjekësh specialistë. Gjendja e tyre shëndetësore paraqitet e mirë, pa komplikacione të rëndësishme.

Drejtoria e QSUT ka vënë në dispozicion të Institutit të Mjekësisë Ligjore të gjithë dokumentacionin e kërkuar për të sqaruar shkaqet e këtyre simptomave.