Real Madrid fitoi për herë të 13-të Champions League dhe për të tretin vit radhazi. Skuadra e Zinedine Zidane triumfoi në finalen e Kievit, pasi mundi Liverpool me rezultatin 3 – 1, ku padyshim lojtari i ndeshjes ishte Gareth Bale, autor i 2 golave.

Lojtarët e Liverpool e nisën vrrullshëm, duke rrezikuar portën e Real, ndërsa u treguan më të kujdesshëm në aksionet kundërshtare.

Të dy trajnerët u shtrënguan të kryenin nga një zëvendësim të detyruar që në pjesën e parë. Salah, më pas Carvajal, lanë fushën të dëmtuar.

Në minutat e fundit të pjesës së parë lojtarët madrilenë e shtuan presionin. Benzema realizoi, por goli i tij u vlerësua në pozicion jashtë loje.

Në fillimin e pjesës së dytë, Isco pati një mundësi të mirë për të shënuar. Ai goditi traversën, edhe pse porta ishte e boshatisur.

Benzema u tregua i vëmendshëm pak minuta më vonë, duke realizuar për Real. Sulmuesi i madrilenëve shfrytëzoi një pasim të gabuar të portierit të Liverpool.

Avantazhi zgjati pak, pasi Mane barazoi rezultatin.

Zinedine Zidane bëri zëvendësimin që do të ndryshontë gjithçka në minutën e 61’, Bale në vend të Isco. Uellsiani realizoi një supergol, pak pasi hyri në fushë. Krosimin e Marcelo e dërgoi në portën e Liverpool me një roveshatë.

Pavarësisht mundësive edhe të ekipit anglez ishte sërish Real Madrid që realizoi. Goditja e Bale në të 83’ u ndihmua edhe nga portieri i Liverpool, i cili nuk e ndali saktë topin.

Ky gol vendosi përfundimisht suksesin e Real Madrid që nuk lëshon titullin e kampionit të Europës për klube.

Tv Klan