Turqia zhvillon të dielën një referendum kushtetues, ku votuesit do të pyeten nëse dëshirojnë apo jo të kalojnë nga sistemi i tanishëm parlamentar në një presidencë të fuqishme me kompetenca ekzekutive. Turqit janë të ndarë për këtë çështje: Kritikët e akuzojnë presidentin Rexhep Tajip Erdogan se po përpiqet të krijojë një diktaturë, ndërsa mbështetësit e tij thonë se ndryshimet e mundshme përfaqësojnë vullnetin e popullit.

Në Stamboll, qyteti më i madh i Turqisë, jeton rreth një e pesta e elektoratit, prandaj ai ka edhe peshën vendimtare në referendumin e së dielës. Sondazhet tregojnë se rezultati është i paparashikueshëm, prandaj të dyja palët po zhvillojnë një fushatë të ethshme.

“Evet” do të thotë “po” në gjuhën turke. Aktivistët thonë se zgjerimi i pushtetit të presidentit do të forconte demokracinë duke siguruar stabilitetin.

“Kundër terroristëve, ne themi PO! Kundër fuqive imperialiste, ne themi PO!” thërret ky votues.

Për votuesit e “JO-së”, që në turqisht thuhet “hayir”, reformat e propozuara, të cilat zgjerojnë pushtetin presidencial mbi gjyqësorin dhe lejojnë qeverisjen me dekrete, i hapin derën diktaturës.

“Njerëzit vijnë dhe na pyesin se pse duhet të themi ‘jo’ dhe ne përpiqemi t’ua shpjegojmë. Në të vërtetë, ne i themi ‘jo’ një regjimi autokrat,”

thotë kjo grua.

Si për kundërshtarët ashtu edhe për mbështetësit, ky referendum zhvillohet për një njeri: Presidentin e tanishëm Recep Tayyip Erdogan.

Aktivistët e “po”-së besojnë se reformat e propozuara kanë të bëjnë me një gjë: që presidentit t’i krijohet mundësia për të vazhduar programin e tij të zhvillimit të vendit:

“Kur Rexhep Tajip Erdogan erdhi në pushtet me partinë e tij AK, ai luftoi në fillim kundër bandave dhe shtetit brenda shtetit, ndërmori një hap shumë të rëndësishëm në sektorin e shëndetësisë. Tani, në krahasim me vitet 2000, Turqia ka një rritje prej 500 për qind në zhvillim.”

Aktivistët e “po”-së fokusohen në arritjet e Erdoganit dhe jo në anët pozitive të reformave kushtetuese.

Për shumë prej tyre, kjo është një strategji fitimtare, sepse pas gati 20 vjetësh në pushtet, Erdogani ende mbetet një politikan popullor, shumë më popullor se çdo tjetër në Turqi.

“Votoj për Tajip Erdoganin prej 17-18 vjetësh, dhe ai kurrë nuk më ka lënë në baltë. Ai mund të rrinte në presidencë dhe të nënshkruante dokumente. Por, ky njeri e do këtë vend aq shumë sa nuk mund të ndalet dhe beson se duhet të bëjë më shumë. Prandaj edhe unë besoj tek ai”.

Por mënyra e zhvillimit të fushatës ka ngritur pikëpyetje. Në shumë lagje të Stambollit, ashtu si edhe në pjesën tjetër të vendit, vështirë të gjesh zona pa flamurë dhe postera fushate.

Shumë mitingje fushate të “jo”-së janë ndaluar nga autoritetet shtetërore, duke përfshirë edhe Stambollin.

Sipas një studimi, 90 për qind e mbulimit nga mediat ishte për fushatën “po”.

Partia pro-kurde, HDP, grupi i dytë më i madh opozitar i Turqisë dhe një nga kundërshtaret më të zjarrta të reformës kushtetuese, është përballur me vështirësitë më të mëdha.

“Ne po shohim presion politik. Udhëheqësit tanë dhe 13 anëtarë të parlamentit janë në burg. Pothuajse 5,000 nga njerëzit tanë përballen me akuza apo janë nën arrest. Nuk mund të flasim për një votim të drejtë dhe një referendum të ndershëm.”

“Por shpresa nuk shuhet, kjo është më e rëndësishmja. Nuk duhet të heqim dorë nga shpresa. Siç thotë udhëheqësi ynë Demirtash, ‘Guximi është ngjitës’.

Pavarësisht pengesave të tilla, rezultati i referendumit është i paparashikueshëm. Disa vëzhgues thonë se kjo ndoshta vjen pjesërisht, ngaqë vështirësitë me të cilat përballet fushata “jo” e ka forcuar argumentin e tyre se demokracia turke është në rrezik./VOA