Opozita nuk sheh asnjë rrugë tjetër për të miratuar Reformën në Drejtësi nëse mazhoranca nuk pranon rekomandimin 88 të Venecias, për vendet e rezervuara.

Për kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bllokimi që mazhoranca po i bën Reformës, lë të hapur opsionin që paketa e ndryshimeve kushtetuese, të shtyhet për mandatin e ardhshëm.

Deklarata e kreut të Partisë Demokratike u bë gjatë punimeve të Asamblesë së Partisë Republikane, ku Basha nuk përjashtoi skenarin e zgjedhjeve të parakohshme.

Më herët, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu tha se opozita duhet ta vendosë Reformën Zgjedhore në krye të prioriteteve të saj.

Shembulli i Ligjit të Dekriminalizimit, miratimi i të cilit, sipas opozitës, erdhi prej imponimit të saj ndaj mazhorancës, duhet të ndiqet edhe për Reformën në Drejtësi dhe atë Zgjedhore.

Tv Klan