Një ditë pas propozimit të bërë nga Lëvizja Socialiste për Integrim për aplikimin e listave të hapura në zgjedhje, socialistët janë shprehur kundër kësaj formule përmes bashkëkryetarit të komisionit të posaçëm të reformës, Taulant Balla.

Ndonëse paketa e propozimeve të bëra të hënën nga LSI-ja nuk ishte pjesë e punës së komisionit të Posaçëm që u mblodh në të parën mbledhje për këtë vit, Balla I kujtoi aleatit të tij në qeverisje se për këtë çështje mund të diskutohet vetëm pas zgjedhjeve.

Taulant Balla, bashkëkryetar i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore:

Mandati i këtij komisioni është që të diskutojë çështje të OSBE-ODHIR. Jam kundër çdo forme që ndërhyn në sistemin zgjedhor. Me këtë sistem janë bërë dy palë zgjedhje. Për këtë çështje mund të flasim vetëm pas zgjedhjeve.

Petrit Vasili, LSI:

Nuk kanë pse kanë frikë nga propozimet tona, ka ardhur koha për një gjë të tillë.

Por listat e hapura nuk janë i vetmi ngërç që mban peng ecurinë e reformës zgjedhore. Përdorimi i sistemit elektronik në zgjedhje është një tjetër kusht i vënë nga demokratët, që ka gjetur vetëm mbështetjen e LSI-së.

E vetmja pikë në të cilën palët kanë rëndë dakord është që ekspertët të përgatisin një listë të çështjeve që janë për t’u diskutuar të cilat do të paraqiten më pas si amendamente në tryezën e komisionit, mandat i të cilit përfundon në fund të muajit shkurt./ TV KLAN