Refuzimi për tu lidhur me një djalë i ka marrë jetën një 21-vjeçareje në Tiranë. Ariela Murati që shihni në këtë foto, studente e vitit të tretë në fakultetin Juridik u qëllua për vdekje me 2 plumba në mes të rrugës nga Aldison Belulaj. Më pas 23-vjeçari ka qëlluar me një plumb mbi veten, duke mbetur i plagosur rëndë.

Dy të rinjtë janë transportuar drejt Spitalit të Traumës dhe nën kujdesin e mjekeve është vetëm 23-vjecari Belulaj, pasi Ariela Murati nuk mundi tu mbijetoje plagëve të marra.

Ngjarja e rëndë ndodhi në afërsi të fakultetit të mjekësisë përballë qendrës spitalore universitare Nënë Tereza. Sipas dëshmitarëve 21-vjeçarja ka qenë së bashku me një mikeshën e saj kur autori i krimit u ka dalë para dhe mes tyre ka nisur një debat.

Prej kohesh vajza e refuzonte Belulajn për të nisur një lidhje dashurie mes tyre. Disa sekonda më pas ai ka nxjerrë pistoletën duke qëlluar 2 herë në drejtim të vajzës dhe më pas veten me një plumb në gojë.

Belulaj është lindur ne Fier, ndërsa Murati në Berat, por sipas regjistrit të gjendjes civile të dy figurojnë banues ne fshatin Zharrëz të Fierit, ku edhe besohet se janë njohur.

Grupi hetimor po merr dëshmitë e personave që kanë qenë në vendin e ngjarjes ne momentin kur ka ndodhur krimi. Dëshminë po e japin edhe familjarët. Janë sekuestruar edhe pamjet e disa kamera të sigurisë për të rindërtuar edhe njëherë të gjithë dinamikën e kësaj tragjedie.

Tv Klan